Kreu i PDIU-së, Spëtim Idrizi falenderoi qeverinë shqiptare për qëndrimin ndaj çështjes çame dhe theksoi se shqiptarët e çamërisë janë persekutuar edhe nga Enver Hoxha.
Gjatë një aktiviteti të organizuar nga Shoqata “Çamëria” në përkujtim të 55-vjetorit të shqiptarëve të çamërisë që u vranë nga gjyqi famëkeq i Teme Sejkos, Idrizi tha se kjo ishte hera e parë që qeveria shqiptare ishte në një pozitë reciprociteti me Greqinë, duke iu referuar vizitës që zhvilloi pak ditë më parë në vendin tonë kryediplomati grek.
Idrizi tha se në vizitën tjetër ministri Kotzias do të pritet nga 150 mijë shqiptarë.
Kryetari i Shoqatës “Çamëria” Abaz Hado, tha se shqiptarët e çamërisë kanë luftuar kundër gjermanëve. Ai u shpreh se çamët do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e mohuara nga Greqia.
Ndërsa deputeti Tahir Muhedini tha se atë që ka bërë Greqia me shqiptarët e çamërisë nuk mund ta harrojë askush, ndërkohë që theksoi se çështja çame shumë shpejt do të ketë një zgjidhje. (java / r.a)