E premtja shënon pikënisjen e EURO 2016, një kompeticion i shumëpritur për të gjithë shqiptarët. Me këtë rast, fusha e gjelbër përbri Kryeministrisë, do të jetë në dispozicion të qytetarëve të kryeqytetit. Njoftimin e ka bërë vetë Kryeministri Rama në rrjetin e tij social.
“Fusha e gjelbër e Kryeministrisë është në dispozicion të kujtdo që dëshiron të shohë live Euro2016-ën”- shkruan Rama.
Një tjetër pikë “takimi” ku mund të shihni ndeshjet e Kombëtares Kuq e Zi dhe të gjitha ndeshjet e tjera të Europianit, do të jetë dhe sheshi Nënë Tereza, i transformuar nga Bashkia e Tiranës, si një arenë sportive për të gjitha ndeshjet e France 2016.