Sot për kombëtaren zvicerane të futbollit (Nati, siç e quajnë zviceranët) luajnë gjashtë futbollistë me prejardhje shqiptare. Por, pak vite më parë nuk ka qenë kështu. Në vitin 2004 Milaim Ramaqe bërë i pari futbollist shqiptar që po luante për Zvicrën. Ai ka qenë po ashtu shqiptari i parë që ka luajtur në një Kampionat Evropian, në atë të zhvilluar në Portugali.
Legjenda e Thunit, golshënuesi më i mirë i këtij klubi, më 23 maj 2012 do të vraponte rrethin e tij të fundit në fushën e gjelbër, gjegjësisht do të braktiste futbollin aktiv. Rama po i varte këpucët në gozhdë dhe po shikonte për perspektivat tjera… Katër vite më vonë, më 6 maj 2016 Milaim Rama, në stadiumin e Badenit luan në ndeshjen e nderit për ekipin e “Legjendave”, të kompozuar nga ish lojtarët e kombëtares zvicerane. Kundërshtar ka ekipin amator të përbërë nga lojtarë të kompanive që mbështesin kombëtaren zvicerane, kryesisht banka dhe institute tjera financiare. Rama tashmë 40 vjeçar duket se ende është në formë dhe nuk ka asnjë kilogram të tepërt.
Kanë kaluar 4 vjet qëkur ju e keni braktisur futbollin aktiv. Me çfarë merreni tash dhe a zhvilloni aktivitete që lidhen me futbollin?
Fillimisht, duhet të them se u pata ndjerë i zhgënjyer nga FC Thun, ekipi në të cilin pata dhënë gjithçka, i cili nuk pati gjetur një mundësi të më angazhonte në strukturat e veta. 13 vjet identifikim me këtë klub dhe 113 gola të shënuar, nuk është diçka që i ndodh shpesh një ekipi si Thunit… Sidoqoftë, që nga koha kur e kam braktisur futbollin aktiv, pas disa angazhimeve në ndihmë të disa ekipeve të ligave regjionale, unë jam përcaktuar për punën si ndërmjetësues sigurimesh. Punoj në Cyrih, në një firmë që ofron sigurime jetësore, shëndetësore etj. Pronari i firmës, Lulzim Zhaku, njihet si tifoz dhe sponsorues i madh i sportit, konkretisht futbollit.
A po mundeni të shtyheni me kundërshtarët tuaj që janë shumë më të rinj se ju?
Natyrisht, kjo ishte një ndeshje revyale, pa detyrime, një ndeshje nderi dhe futbollistët mund të ndërroheshin e të pushonin shpesh, kështu që nuk e kishim intensitetin e një ndeshjeje normale.
Kosova u pranua në UEFA dhe në FIFA, cili është mendimi juaj rreth kësaj. Kush do të jenë përfituesit më të mëdhenj të këtij pranimi?
Gjithsesi është kurorëzim i një pritjeje të gjatë dhe një shans i madh, edhe pse i vonuar, që u jepet futbollistëve të rinj kosovarë. Unë e di nga koha e fëmijërisë dhe rinisë së hershme se si është të luash në izolim, pa shpresë se mund të jesh pjesë e futbollit që luhet në botë. Unë, siç e dini, kam ardhur në Zvicër në moshën 17-vjeçare, nga një fshat i Kosovës. Pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA përfundimisht është një ngjarje e madhe për futbollin e Kosovës, pasi i mundësohet atij të shpërthejë izolimin shumëvjeçar.
Çka mendoni rreth zërave që nuk i gëzohen këtij pranimi, pasi, sipas tyre, kështu dëmtohet Kombëtarja e Shqipërisë?
Shpresoj që në një të ardhme të afërt të gjendet një zgjidhje që dy kombëtaret, e Kosovës dhe e Shqipërisë, të shkrihen në një, por fillimisht mendoj se është sukses i madh që, sikur Shqipëria që u kualifikua për Kampionatin Evropian 2016, edhe Kosova të kualifikohet për Botërorin 2018.
Si e gjykoni zhurmën e madhe në opinionin zviceran dhe atë shqiptar lidhur me “tradhtinë” ose mungesën e lojalitetit të lojtarëve shqiptarozviceranë ndaj Zvicrës respektivisht ndaj Shqipërisë?
Është i dëmshëm ky pluhur që po ngrihet, sidomos në prag të Evropianit, në kohën kur lojtarët kanë nevojë për qetësi dhe përqendrim maksimal në lojë. Mendoj se këtë po e bëjnë mediat në mënyrë të papërgjegjshme dhe vetëm për të ngritur kuotat e lexuesve ose të klikimeve të tyre. Them se lojtarëve nuk duhet t’u bihet në qafë e as t’u imponohet asgjë, nga asnjëra anë. Ata le ta vlerësojnë vetë se për kë do të luajnë. Nuk duhet harruar se ata janë zhvilluar dhe janë bërë këta që janë, vetëm falë sistemit të këtushëm të stimulimit të futbollit.
Si jeni ndjerë në kohën kur keni luajtur për Nati-n. Si ju kanë pritur si një ndër futbollistët e pakët asokohe me prejardhje të huaj?
Unë jam ndjerë shumë mirë në atë shoqëri dhe kam qenë krenar, siç jam edhe sot, për faktin që kam qenë pjesë e atij ekipi. Sidomos ndjehem i nderuar që jam shqiptari i parë, pjesë e Natit, dhe përmes kësaj edhe shqiptari i parë që ka luajtur në një kampionat evropian. Kjo gjithsesi është një ndjenjë e veçantë dhe e papërshkrueshme. Po ashtu jam pritur jashtëzakonisht mirë në Nati. Nuk është bërë kurrë asnjë dallim në raport me mua, nga stafi ose nga lojtarët. Asnjëherë nuk kam parë ndonjë trajtim që do të më bënte të ndjeja veten si i huaj. Jam shoqëruar dhe kam kaluar shumë mirë me të gjithë bashkëlojtarët dhe çdo gjë ka qenë OK. Me një pjesë prej tyre kam edhe sot kontakte dhe miqësi.
Kur ju keni luajtur për Zvicrën, 12 vjet më parë, a keni pasur ndonjë ofertë për të luajtur për Kombëtaren Shqiptare?
Bëhet fjalë për kohën kur isha i vetmi shqiptar dhe ndër fare pak lojtarë tjerë me prejardhje të huaj në Nati. Ndjehem krenar me atë kohë sa kam luajtur dhe jam trajtuar mjaft mirë nga rrethi. Kam luajtur gjithsej 7 ndeshje në vitin 2004 kur qesh angazhuar. Për sa u përket autoriteteve të Federatës së Futbollit Shqiptar, ata më patën kontaktuar vetëm një herë por edhe atëherë ishte vonë. Me këtë rast më duhet të them se në atë kohë Federata Shqiptare nuk e kishte as afërsisht organizimin e as ambiciet që i ka sot…
Për Nati-n e Zvicrës luajnë 6-futbollistë me prejardhje shqiptare. Rreth 10 shqiptaro-zviceran luajnë për Shqipërinë dhe disa të tjerë për Kombëtaren e Kosovës. Si e vlerësoni ju këtë, ta quajmë “fenomen shqiptar” të futbollit?
Është e vërtetë ajo që po thoni, kemi një shpërthim të paparë të talenteve shqiptare në Zvicër e gjetiu. Kjo shpjegohet gjithsesi me talentin e djelmoshave por edhe me shkollën shumë të avancuar zvicerane të futbollit. Zvicra ka investuar tepër shumë në shkollimin e grupmoshave të reja të futbollit. Duke punuar në mënyrë profesionale me ta, ajo po furnizon me lojtarë të rinj cilësorë jo vetëm kampionatin zviceran por edhe shumë kampionate tjera të fuqishme evropiane. Nga kjo sigurisht që kanë përfituar edhe shumë shqiptarë. Por, një karakteristikë që është më specifike për suksesin e të rinjve shqiptarë është angazhimi i prindërve të tyre për t’i motivuar që të luajnë futboll dhe për të trasuar rrugën drejt suksesit.
Albinfo/d.i.