Deklaratave të kësaj të enjte të Ministrit Tahiri dhe Kryeministrit Rama në lidhje me gjyqtarin që pezulloi kreun e policisë Çako, i është përgjigjur kësaj here Konferenca Kombëtare Gjyqësore, duke i cilësuar si të papranueshme. KKGJ shkruan në reagimin e saj se këto deklarata nuk kanë asnjë lidhje me aspiratën për një drejtësi të pavarur. Në këtë reagim, Konferenca Kombëtare Gjyqësore i ka këruar Ramës dhe Tahirit, që pretendimet e tyre t’i adresojnë në isntitucionet përkatëse.
Ja deklarata e plotë
Duke marrë shkas nga deklaratat fyese dhe sulmet e drejtpërdrejta të disa përfaqësuesve të ekzekutivit, ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë Z.Arjan Aliaj, për shkak të vendimeve të marra prej tij, në përmbushje të detyrës kushtetuese, Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare, shpreh edhe njëherë dhe ri-konfirmon qëndrimin e mbajtur edhe në raste të tjera analoge se, parimet kushtetuese të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duhet të jenë guri i themelit që udhëheq çdo organ gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, në një shtet demokratik.
Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare vlerëson se, deklarata të tilla, me një gjuhë të papranueshme dhe te përsëritur, të realizuara nga përfaqësues të ekzekutivit, vënë seriozisht në dyshim parimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor nga ndërhyrjet politike apo të çdo forme tjetër, të cilat pasjellin pasoja, jo vetëm në drejtim të ushtrimit të pavarur të veprimtarisë gjyqësore, cenimi i së cilës sjell përgjegjësi sipas ligjit, por edhe në drejtim të garantimit efektiv të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, si element esencial i shtetit të së drejtës dhe demokratik, proces i cili në mënyrë të pashmangshme kërkon si parakusht një gjyqësor të pavarur, të paanshëm dhe brenda standardeve të gjithëpranuara ndërkombëtare, në drejtim të etikës dhe profesionalizmit.
Këto deklarata fyese dhe denigruese për gjithë trupën gjyqësore, në një moment kaq vendimtar për sistemin e drejtësisë, nuk kane aspak lidhje me aspiratën për një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm, me integritet moral dhe profesional, të aftë që të japë drejtësi dhe vendosë përballë ligjit këdo që e shkel atë.
Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare, inkurajon dhe mbështet çdo organ apo institucion, shtetëror apo privat, që në eventualitetin e konstatimit të mangësive apo problematikave gjatë ushtrimit të funksionit kushtetues të gjyqtarëve të të gjitha shkallëve, të cilat janë të papajtueshme më këtë funksion, t’i adresojë ato në rrugë institucionale, brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor në fuqi, duke garantuar nga njëra anë, parimin e kontrollit dhe balancimit të pushtetit gjyqësor nga degët e tjera të qeverisjes dhe nga ana tjetër, duke shmangur çfarëdo tendence qoftë edhe potenciale, personalizimi apo intimidimi të gjyqtarëve të caktuar, gjatë dhe për shkak të ushtrimit të detyrës.