Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati priti sot homologun e tij të olonisë Witold Waszczykowski, i cili po zhvillon një vizitë në Shqipëri.
Palët konfirmuan edhe një herë marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Polonisë, si dhe vullnetin e përbashkët për t’i forcuar edhe më tepër ato, duke u ndalur kryesisht në bashkëpunimin ekonomik.
Ministri Bushati evidentoi progresin e bërë nga Qeveria shqiptare në adresimin e 5 prioriteteve kyçe në procesin e integrimit evropian, për angazhimin me qëllim miratimin e reformës në drejtësi, si një reformë e një rëndësie të jashtëzakonshme për forcimin e shtetit ligjor në vend dhe me impakt të drejtpërdrejtë në avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Ministri Waszczykowski shprehu mbështetjen e vazhdueshme dhe të pandryshueshme të Polonisë për procesin e reformave që ka ndërmarrë Qeveria shqiptare në vijim të rrugëtimit evropian të vendit tonë.
Dy Ministrat vlerësuan si tepër të rëndësishëm forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit shumëpalësh, bashkëpunimit rajonal dhe mes rajoneve (V4-WB6), si dhe koordinimin e përpjekjeve të përbashkëta në përballjen me sfidat e sigurisë.
Polonia do të marrë drejtimin e Grupit të Vishegradit dhe me këtë rast u evidentua rëndësia e bashkëpunimit rajonal si katalizator i proceseve integruese, si dhe angazhimi i Polonisë për të ndarë eksperiencën e saj me Shqipërinë dhe me vendet e Ballkanit Perëndimor në këtë drejtim.
Duke u ndalur në kuadër të bashkëpunimit në NATO, Ministrat evidentuan rëndësinë e përballimit të rreziqeve ndaj sigurisë euro-atlantike nëpërmjet angazhimit kolektiv, i cili do të jetë pjesë thelbësorë e agjendës së Samitit të Varshavës.
Në kuadër të kësaj vizite, në ambientet e MPJ u ekspozuan disa materiale arkivore mbi marrëdhëniet diplomatike dypalëshe. (java / r.a)