Partia Demokratike, përmes nënkryetarit Edmond Spaho, reagoi të mërkurën pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në Këshillin Ekonomik Kombëtar, se ekonomia shqiptare ka ‘tregues pozitivë’.
Spaho tha se “eksportet dhe investimet janë në rënie”, dhe këto sipas tij janë treguesit realë të ekonomisë së vendit.
“Sot në një retorikë 40 minutëshe kryeministri deklaroi se ekonomia qenka mirë, madje ai sulmoi me tone kërcënuese edhe bizneset që mund të kenë ankesa”, tha Spaho.
Por, vijoi ai, Dhoma Amerikane e Tregtisë është shprehur se besimi ka rënë me 4.83 pikë, dhe 65 përqind e të anketuarve janë shprehur se klima për biznes është e pafavorshme ose shumë e pafavorshme. Më parë, Dhoma Gjermane e Tregtisë denoncoi korrupsionin e taksat e larta, ndërsa konsumi, tha Spaho, gjithashtu ka pësuar rënie në rekorde historike.
“Eksportet dhe investimet janë në rënie, dhe këto tregues janë ekonomia e vendit. Asnjë investitor i huaj nuk ka shkelur në këto tre vite, madje ata po largohen, ndërsa kryeministri vazhdon të krenohet me TAP-in dhe Hidrocentralin e Devollit, të dyja punë të nisura nga qeveria e mëparshme”, deklaroi nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho. (java / r.a)