Ish-trajneri i Vllaznisë, Hysen Dedja, ka reaguar pas akuzave të ish-futbollistit të tij, Armando Cungu, për korrupsion me grumbullimet në kombëtare. Cungu ka deklaruar se më 1998 ishte ftuar në kombëtare nga trajneri Astrit Hafizi, por Dedja, i cili i kishte dhënë lajmin, e kishte këshilluar të shkonte në Tiranë për t’i dhënë një “kafe” trajnerit të kuqezinjve.
I kontaktuar dje nga Panorama Sport, Dedja, kampion i Shqipërisë me Vllazninë më 1998 dhe baxhanak i Astrit Hafizit, i ka hedhur poshtë pretendimet e trajnerit të sotëm të kuqebluve.
“Nuk e kam lexuar intervistën në fjalë, por më kanë thënë në lidhje me përmbajtjen e saj. Të them të drejtën më vjen çudi, pasi në dijeninë time, Cungu nuk është thirrur ndonjëherë në ekipin Kkmbëtar dhe ky më duket një pretendim i habitshëm nga ana e tij”, ka thënë Dedja, i cili vazhdon duke treguar mbi pozitën që trajneri aktual i shkodranëve kishte në atë periudhë.
“Në vitet 1996-1997, kur unë kam marrë drejtimin e skuadrës së Vllaznisë, ai ka qenë rezervë. Por, me largimin e lojtarëve si Veseli, Martini, Kotri e të tjerë, në vitin 1997, ai ka arritur të zërë një vend në formacionin bazë të skuadrës”, ka sqaruar Dedja.
Gjatë prononcimit të tij, Dedja ka mohuar kategorikisht që të ketë patur një bisedë me Cungun në lidhje me këtë çështje. Vetë Cungu, u pat shprehur se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në prani të doktorit të ekipit Zyhdi Çoba. “Nuk kam bërë asnjë bisedë të tillë me të. Ndoshta ai është në një delir të tillë, por nuk e kuptoj. Unë, pasi jam larguar nga skuadra në vitin 1998, e kam marrë me vete te Luftëtari dhe te Teuta. Jam habitur kur të dielën në darkë me ka thënë Hafizi për këto deklarata. Madje ka përfshirë edhe doktorin e ekipit. Ky është një delir dhe nuk e di, por këto janë problemet e veta, pasi ai nuk është njoftuar asnjëherë për ekipin Kombëtar”, këmbëngul Dedja. Ish-trajneri i kuqebluve shprehet se do të flasë me trajnerin kuqeblu kur ta ketë përballë në lidhje me këtë çështje.
“Nuk kam kontaktuar me Cungun dhe nuk kam në plan ta bëj një gjë të tillë, por do të flas me të kur ta takoj. Mund të flisni edhe me lojtarët e tjerë që kanë qenë pjesë e skuadrës në atë kohë, se ndoshta ata mund ta dinë më shumë për të”, ka mbyllur Dedja, prononcimin e tij.
Panorama/d.i.