William R. Ponsoldt për vite me radhë kishte fituar miliona dollarë amerikanë, duke krijuar një rrjet kompanish të suksesshme.
Kishte rinovuar banesa në zonën e qytetit njujorkez. Mbante kuaj të racës më të dalluar arabe.
Kishte një klub jahti në Bahame, prona në Kanada e madje edhe një fond prej qindra miliona dollarësh, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e NYT.
Tani afër pensionimit, Ponsoldt nga Jensen Beach në Florida, ka një kërkesë speciale për “Mossack Fonseca”, firmën ligjore me seli në Panama që merret me menaxhimin e financave “offshore”: Cila është mundësia më e mirë që t’i bartë paratë jashtë vendit për të blerë patundshmëri të ndryshme dhe një hise të fondeve t’ua transferojë fëmijëve?
“Ai është një prej menaxherëve më të pasur të fondeve jashtë vendit”, kishte deklaruar një avokat i firmës “Mossack Fonseca”, kur kishte paraqitur kërkesën e klientit të tij më 2004.
“Qëllimi kryesor është që të ruajë konfidencialitetin dhe në kushte ideale të ketë llogari, pa u përmendur emri si person privat”.
Në një përmbledhje të firmës shpjegohej: “I duhen skema të mbrojtjes së aseteve, të cilat po mundohemi t’ia shesim”.
Dhe kështu kishte nisur ndërtimi i raportit të veçantë që kishte zgjatur deri më 2015, derisa “Mossack Fonsecca” ia kishte dalë të menaxhonte fondet në emër të kësaj familjeje amerikane, duke transferuar së paku 134 milionë dollarë nëpër banka të gjashtë shteteve të ndryshme – dhe një pjesë shumë e vogël e këtyre parave dihej se shkonin në llogari të Ponsoldtit dhe fëmijëve të tij.
Këto transaksione dhe të tjera të ngjashme janë vetëm një pjesë e rrëfimit të klientëve të kamur amerikanë, që kishin shfrytëzuar shërbimet e firmës së njohur tashmë panameze, për të shmangur taksat e larta nëpër vendet e tjera.
Dhe të gjitha këto të dhëna kanë dalë prej skandalit të njohur si “Panama papers”, që ka treguar se ka liderë e biznesmenë të njohur të të gjitha shteteve të botës që kishin përfituar prej këtij rrjeti në Panama.
Materialet janë siguruar prej gazetës gjermane “Suddeutsche Zeitung” dhe prej Konserciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Hulumtues dhe tashmë i janë ndarë edhe gazetës “Neë York Times”.
Në javët e fundit skandali që ka rrjedhur prej “Mossack Fonseca” ka tronditur botën financiare. “Times” ka hulumtuar të gjitha dosjet e dekadës së kaluar dhe ka zbuluar se më shumë se 2.400 klientë amerikanë me banim në SHBA, si dhe së paku 2.800 kompani me përfaqësitë e tyre në Ishujt Virgjine Britanike, Panama, duke fituar prej shmangies së tatimeve.
Shumë prej këtyre transaksioneve ishin ligjore; ka arsye legjitime për të hapur llogari bankare offshore, në veçanti kur hapni biznese jashtë vendit në patundshmëri.
Por dokumentet – letra konfidenciale elektronike, kopje pasaportash dhe dëshmi të transfereve bankare, madje edhe lista klientësh – tregojnë se shumë amerikanë kishin transferuar paratë në këtë parajsë financiare. “Mossack Fonseca” kishte ofruar udhëzime se si amerikanët e pasur do të mund t’u shmangeshin ligjeve e taksave financiare amerikane për t’i fshehur paratë në Panama, citohet Express. (b.an)