Pasi takimi Rama Basha nuk prodhoi dot një rrugëdalje për reformën në drejtësi, ka qenë Kryeministri ai i cili ka paralajmëruar se së shpejti drafti do të shkojë për votim në Parlament.
Por miratimi i draftit të ndryshimeve kushtetuese kërkon 2/3 e votave, pra 94 numra, të cilat maxhoranca nuk i ka e vetme.
Kjo ka bërë që PD të alarmohet në lidhje me ndonjë “rrëshkitje” të mundshme të votave të saj, kur tashmë është e ditur se disa deputetë, janë të gatshëm të votojnë reformën në drejtësi.
Pikërisht për këtë çështje, kreu i PD Lulzim Basha do të mbledhë këtë të martë grupin parlamentar, për tu përjekur që të “bllokojë” rubinetin e votave opozitare drejt draftit të reformës që shumë shpejt do t’i drejtohet parlamentit.
Aktualisht konsensusi mes palëve është larg së qeni afër. Molla e sherrit mes opozitës e maxhorancës mbetet “kushti” i PD-së për idenë e “vendeve të rezervuara” në organikën e institucioneve më të larta drejtuese të gjyqësorit, një element ky që për opozitën është i panegociueshëm. Nga ana saj maxhoranca ka argumentuar se ky propozim “vesh me xhaketa politike” anëtarët e të paktën dy prej institucioneve kryesore të gjyqësorit, siç janë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Nga ana tjetër, deri më tani, faktori ndërkombëtar ende nuk ka dhënë një qëndrim të tijin përsa i përket mosdarkortësisë që prodhoi takimi Rama Basha… e sidomos për elementin e “vendeve të rezervuara”./ java/ a.k