Gjatë ditëve të fundit, shumë profile të njerëzve të njohur janë hakeruar, duke përfshirë ato të Katy Perry, Mark Zuckerberg dhe Keith Richards.
Siç duket, hakerët kanë arritur t’i sigurojnë të dhënat e tyre përmes një gabimi të shfaqur në LinkedIn, aty ku 117 milionë emra të përdoruesve dhe fjalëkalime, që datojnë që nga viti 2012, janë vjedhur.
Për momentin, ndoshta po mendoni për dy gjëra:
Si mund t’i ndodh kjo dikujt si Mark Zuckerberg?
Nëse kjo i ndodhi dikujt si ai, a mund të parandalohet një sulm i tillë?
E para, nuk dihet se si ndodhi, pasi që as Mark Zuckerberg nuk ka komentuar mbi këtë çështje. E dyta, po mund të parandalohet një vjedhje e tillë, transmeton Gazeta Express.
Kjo mund të bëhet kështu:
Vendosni një fjalëkalim të mirë
Vendosja e një fjalëkalimi të fuqishëm është gjëja më e rëndësishme. Fjalëkalimi juaj duhet të jetë i përzier me numra dhe shkronja, në mënyrë që të jetë sa më i fuqishëm.
Një fjalëkalim i fortë duhet të jetë të paktën 12 shkronja i gjatë, preferohet edhe më i gjatë. Duhet të përmbajë numra, shkronja të mëdha dhe të vogla.
Kurrë mos e përdorni fjalëkalimin e njëjtë dy herë
Pasi keni vendosur një fjalëkalim të fuqishëm, mos e përdorni të njëjtin në faqe të ndryshme, pasi mund të rrezikoheni. Nëse një nga faqet alternative që i përdorni sulmohet, atëherë vjedhja e informacioneve tuaja do të jetë më e lehtë. (b.an)