Turqia dhe Greqia do të jenë zgjedhjet kryesore të shqiptarëve që do të pushojnë jashtë vendit. Turqia, për të shmangur humbjet drastike, po mundohet të tërheqë me çmime të favorshme, ndërsa Greqia me ishujt e saj të famshëm. Por, nëse do të preferohet Kontinenti i Vjetër, disa agjenci kanë menduar një strategji për oferta më konkurruese, por do t’ju duhet të fluturoni nga aeroportet e fqinjëve.
“Na pret një sezon i mbarë”. Kështu u përgjigj drejtuesja e një agjencie të njohur në Tiranë, kur e pyeta se ç’po bëhej nga Turqia. “Prenotimet po rriten dhe nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, kur çmimet e paketave janë mesatarisht 25% më të lira”, vazhdoi më tej ajo.
E ndërsa Rusia dhe Gjermania po shmangin Turqinë në turizëm, agjencitë shqiptare po referojnë për oferta disa herë më të lira në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithatë, duket se edhe kësaj here do të ndodhë fenomeni i përhershëm, ai i “minutës së fundit”.
“Shqiptarët prenotojnë gjithnjë në minutë të fundit duke menduar se do të marrin çmimet më të ulëta, por jo gjithmonë ndodh kështu. Me Turqinë po ndodh e njëjta gjë. Çmimet e paketave janë ulur, por nuk dimë të themi nëse kjo tendencë do të vazhdojë edhe në muajit e pikut të sezonit”, thonë drejtuesit e agjencive turistike.
Nga ana tjetër, Greqia parashikon të shtrenjtojë çmimet për shkak të rritjes së taksave (si rrjedhojë, paketat mund të jenë më të shtrenjta se një vit më parë), kjo do të ndikojë në kërkesën për të pushuar, por jo në mënyrë drastike. Për të zbutur këtë sjellje, drejtuesit e agjencive turistike shqiptare për herë të parë kanë përfshirë transportin në paketa, gjë që më parë sigurohej në mënyrë individuale. Një tjerët faktor që do të bëjë që Greqia të rrisë çmimet është edhe dyndja e rusëve.
Tendencat
Gjeografia e pushimeve këtë vit nuk do të ketë ndryshime të ndjeshme. Preferencat mbeten pak a shumë të njëjta, thonë drejtuesit e agjencive turistike. Nga lista, duket se është “fshirë” Egjipti, me destinacionin e tij, Sharm el Sheikh, për shkak të situatës në vend. Një sjellje e ndryshme kjo nga një vit më parë, ku popullariteti u rrit ndjeshëm për shkak të tarifave më të ulëta.
Një tendencë e veçantë për këtë sezon janë ishujt Maldive. Drejtuesit e agjencisë turistike “Union Travel” thonë se janë çiftet e reja ata që po preferojnë këtë destinacion për muajin e tyre të mjaltit. Një udhëtim çift për tetë net, në një hotel me katër yje, për periudhën 23 qershor-1 korrik kushton mesatarisht rreth 3,000 euro, ku pjesën më të madhe të kostos e zë fluturimi. Rreth 1,000 ishujt koralorë që përbëjnë Republikën e Maldives mund të jenë zgjedhja ideale edhe për personat që pëlqejnë zhytjen dhe sportet e tjera ujore.
Por, vera zbeh disi interesin për turet kulturore, pasi siç shprehen edhe drejtuesit e agjencive turistike, destinacione si: Venecia, Parisi, Lubjanë-Budapest-Vjenë, Roma, Dubrovniku, Stambolli etj., tërheqin më shumë në pranverë.
Një destinacion specifik do të jetë Parisi. Drejtuesit e agjencisë ATHS thonë se kërkesa për të vizituar kryeqendrën e Francës ka filluar të njohë një rritje modeste, por ajo nuk korrespondon me atë për të ndjekur Kampionatin Europian “Euro 2016”. “Është vështirë që të masësh ndikimin që do të ketë kjo kërkesë për këtë destinacion, pasi pjesa më e madhe janë organizuar në mënyrë individuale, pasi kanë siguruar biletat”, thotë drejtuesi i kësaj agjencie.
Turqia ul çmimet, shqiptarët mbajnë radhën
Për drejtuesen e agjencisë “Sava Tours”, Turqia këtë vit shënon rritje të ndjeshme në prenotime, pasi, sipas saj, tarifat e akomodimit në resorte janë ulur mesatarisht me 20-25% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e kërkesës së shqiptarëve për të pushuar në brigjet turke është favorizuar për disa arsye.
Arsyeja e parë ka të bëjë me faktin se Rusia dhe Gjermania, dy tregjet që furnizonin më së shumti Turqinë me turistë (9 milionë në total) e kanë bojkotuar. Të dhënat zyrtare të shtetit turk flasin për rënie të numrit të vizitorëve gjermanë në rreth 40%. Gjermanët duket se këtë vit do të pushojnë tjetërkund e me gjasë do të zgjedhin destinacionet e Europës Jugore. Nga ana tjetër është Rusia. Goditja e avionit rus nga ushtria turke në kufirin me Sirinë në nëntorin e vitit të kaluar duket se po i kushton shtrenjtë Turqisë. Numri i turistëve rusë u ul me rreth 60% krahasuar me marsin e vitit 2015. Të ardhurat nga kjo industri pritet të bien në 20 mld dollarë, rënia më e madhe që nga fillimi i Depresionit të Madh.
Në mars, numri i turistëve ndërkombëtarë u ul me rreth 13% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Turizmi është një sektor i rëndësishëm për ekonominë turke, pasi zë 6% të PBB-së dhe 8% të forcës së përgjithshme të punës.
Shqiptarët në Turqi preferojnë të prenotojnë në resorte me katër e pesë yje dhe me shërbime all apo edhe ultra all inclusive. Antalia është destinacioni kryesor, duke u ndjekur nga Kemeri, Bodrumi e Alania. Koha e qëndrimit llogaritet mesatarisht nga 7 në 10 net.
“Për prenotimet e kësaj periudhe, në Kemer ka pasur oferta hotelesh që kanë zbatuar deri edhe në 70% ulje të çmimeve. Një paketë për qëndrim në hotel me pesë yje për 7 ditë është ofruar me një çmim prej 258 euro/personi, në një kohë kur vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë, kjo shifër ishte rreh 500 euro/person”, thonë drejtuesit e agjencisë ATHS. Sipas tyre, ende është e paqartë se çfarë do të ndodhë gjatë periudhës më të ngarkuar të sezonit korrik – gusht. Ata thonë se një pjesë e resorteve mund të mbyllen. Po kështu ka paqartësi nëse paketat me ulje do të vazhdojnë të ofrohen edhe për këtë periudhë, ndaj sugjerohet që pushimet të prenotohen herët dhe jo të lihen për në minutë të fundit.
Nga ana tjetër, ata thonë se në ardhje, efekti mund të jetë “zero”, pasi numri i shtetasve rusë (edhe pse Shqipëria lehtësoi regjimin e vizave për periudhën maj-shtator) ndaj totalit është i pandjeshëm. Rusët janë në kërkim të pushimeve të tipit resorte all dhe ultra inclusive dhe Shqipëria nuk ka kapacitete të tilla.
“Thomas Cook”, një nga kompanitë britanike turistike më të njohura, ka prezantuar oferta joshëse për Turqinë. Hotelet kryesore, si në Bodrum, Kemer apo edhe në Side, ofrojnë paketa për person që variojnë nga 246 në 560 euro. Ndërsa pushimet në vila ofrohen nga 500 në 800 euro për person për qëndrime deri në 7 ditë.
Greqia më shtrenjtë, por agjencitë ndryshojnë taktikë
Vendi fqinj, që po mban të mbërthyer vëmendjen e së gjithë Europës, parashikon rritje pozitive për turizmin. Të ardhurat në periudhën janar – mars u rritën me rreth 14% ose rreth 90 milionë euro.
Por, rritja e taksave, veçanërisht Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 16% në 17% për ishujt dhe nga 23% në 24% për pjesën tjetër pritet të japë efekte në çmimin final për konsumatorin.
Drejtuesit e agjencive turistike thonë se destinacionet më të preferuara në Greqi nga shqiptarët edhe për këtë sezon do të vazhdojnë të jenë: Korfuzi, Halkidikia, por edhe Parga.
Sipas drejtuesve të agjencisë “Union Travel”, ofertat për destinacionet greke gjatë këtij sezoni do të jenë mesatarisht 5-7% më të shtrenjta se e njëjta periudhë e një viti më parë. Të rinjtë kanë kërkesa për prenotime në ishuj, si ai i Santorinit apo Mikonosit, ndërsa familjarët për në resortet e Korfuzit, të Halkidikisë apo të Rivierës.
Drejtuesit e agjencisë ATHS thonë se Parga dhe Riviera greke për herë të parë do të ofrohen me transport të përfshirë në paketë dy herë në javë. Për shkak të afërsisë gjeografike, këto destinacione arriheshin me mjete private dhe kjo pëlqehej nga një pjesë e mirë e shqiptarëve që zgjedhin të pushonin në këto vende, pasi kishin mundësi të ishin më të pavarur.
Një paketë turistike për të pushuar në Parga, e cila përfshin fjetjen dhe transportin, por jo ushqimin për 3 net e 4 ditë mund të fillojë nga 59 euro për person.
Vitin e kaluar, falë turizmit, Greqia arriti të krijonte 50,000 vende të reja pune, duke i dhënë ekonomisë (pas 6 vitesh rënieje) një impuls të ri edhe pse të vogël.
Resortet greke, veçanërisht ato të Kretës dhe Korfuzit, janë renditur si ndër më të lirat në Europë, gjatë viteve të fundit. Ekspertët vlerësojnë se në kushtet ku është turizmi, grekët duhet të mendojnë më pak për çmimet dhe më shumë për cilësinë, si një mënyrë për të rritur konkurrencën mes destinacioneve të tjera.
Nëpër Europë, por fluturimi nga fqinjët
Barcelona është një nga destinacionet e preferuara të të rinjve shqiptarë kur vjen puna tek Europa. Një pjesë e tyre preferojnë të realizojnë udhëtime të pavarura nga A-ja te ZH-ja. Ina, një vajzë 25-vjeçare zgjodhi që së bashku me partnerin e saj të vizitonin për 5 ditë Barcelonën, ndërsa e programoi udhëtimin e saj nga Shkupi. Dhe jo pa qëllim. Bileta e avionit vajtje/ardhje nga Shkupi për në Barcelonë i kushtoi 100 euro për person, një çmim që nga Tirana nuk mund të gjendet kurrsesi. Udhëtimin vajtje/ardhje nga kryeqyteti maqedonas e realizoi me minibus. Ndërsa u akomodua në një hotel i cili kushtonte 40 euro nata me mëngjes të përfshirë. Në total, shpenzimet e saj fikse u llogaritën në rreth 380 euro. Për të njohur Barcelonën, prenotuan një guidë vendase, e cila i udhëhoqi drejt pikave kryesore. Kostoja për dy ditë të plota e guidës ishte 39 euro. Ndërsa zgjodhën për të konsumuar meny ditore, që nuk shkonin më shumë se 12 euro personi.
Por, paketa me fluturime nga aeroportet e shteteve fqinje ofrojnë edhe agjencitë turistike në Tiranë.
Agjencia “Kalemi” ofron udhëtime në Barcelonë për 4 ditë për person ku përfshihen udhëtimi me avion vajtje/ardhje si dhe akomodimi në hotel me 3 yje me mëngjes.
Në rast se do të zgjidhet fluturimi nga aeroporti i Shkupit kjo paketë ka një kosto që llogaritet në rreth 239 euro për person, ndërsa me nisje nga Tirana për të njëjtën paketë, çmimi rritet dhe shkon në 349 euro për person. Por, për të përfituar nga kjo ofertë, agjencia sqaron se rezervimet duhet të bëhen rreth 4 javë përpara nisjes.
Amsterdami gjithashtu është një destinacion që mund të vizitohet, me paketa që përfshijnë fluturimin nga Aeroporti i Shkupit. Drejtuesit e agjencisë turistike “Kalemi” sqarojnë se për katër ditë qëndrim në hotel me 3 yje me mëngjes të përfshirë, kostoja llogaritet duke filluar nga rreth 209 euro për person. Por, për të njëjtin udhëtim me nisje nga Tirana, kostoja shkon në 415 euro për person.
Ndërsa një udhëtim 4-ditor për në Venecia me fluturim nga Shkupi, për një qëndrim në një hotel me tre yje me mëngjes të përfshirë llogarit një kosto duke filluar nga 169 euro për person, ndërsa nëse nisja do të bëhet nga Tirana, atëherë çmimi i paketës shkon në 249 euro për person.
Në të gjitha rastet, nëse do të doni që transportin nga Tirana drejt Shkupit (dhe anasjelltas) ta realizojë agjencia, do t’ju kushtojë 30 euro.
Rajoni vetëm në fundjavë
Vendet e rajonit, veçanërisht ato fqinje si Maqedonia apo edhe Mali i Zi janë destinacione që preferohen më së shumti për të kaluar fundjavat.
Udhëtime të tilla si në Beograd, Podgoricë, Budva, Ohër e Strugë kanë tarifa më të lira. Kështu ka agjenci që ofrojnë vizita njëditore që llogariten duke filluar nga 15 euro për person (si p.sh., në Podgoricë), ku përfshihet transporti dhe guida.
Mund të zgjidhni të bëni edhe udhëtime individuale, si në Varshavë, Portofino, në Amsterdam dhe në Vjenë, për qëndrime 4-ditore, që llogariten nga 250 euro në rreth 600 euro, ku Bavaria është destinacioni kryesor.
Operatorët turistikë të Ballkanit për këtë vit kanë zgjedhur që të ofrojnë paketa që përfshijnë disa vende. Aktualisht, operatorët turistikë ofrojnë paketa në Shqipëri, Maqedoni, Greqi me çmime që shkojnë në rreth 700 euro.
Nuk do të thoshim gjë të re nëse do të pohonim se Ohri pret shumë më tepër turistë se Pogradeci. Çmimet janë të parat që vendosin, por edhe kushtet e tjera që plotëson ky rajon turistik i Maqedonisë. Nëse akomodohesh në hotel me katër yje, me të gjitha të përfshira për tetë ditë e shtatë net, paguan në këtë sezon rreth 560 euro, por nëse negocion, mund ta gjesh shumë më ulët këtë paketë, maqedonasit ofrojnë ture klasike 8-ditore, 500 euro me karakter kulturor ose 11-ditor nëpër Maqedoni me 780 euro. Por, Maqedonia ofron pafund ture 3 dhe 5-ditore të tipit “aventurë” apo me udhëtime malore me biçikletë ose 1-ditore në Shkup dhe Mavrovë. Në Malin e Zi, paketat ofrojnë çmime edhe më të lira.
Në Mal të Zi, mesatarja ditore shkon në 30 euro për person dhe më interesantja është një paketë 7-ditore që përfshin udhëtime në disa qytete me vetëm 470 euro. Fqinjët tanë janë më dorëlëshuar edhe me ushqimin, duke ofruar në paketa mëngjesin dhe drekën ose mëngjesin dhe darkën.
Kroçierat, pasioni i ri i shqiptarëve
Kroçierat gjithashtu janë një tendencë që preferohen nga shqiptarët, kryesisht për muaj mjalti apo edhe për mosha mbi mesataren. Agjencitë turistike ofrojnë paketa për destinacione të ndryshme me udhëtime që përfshijnë ishujt e Greqisë dhe Turqinë e që llogariten duke filluar nga 300 euro për person, po pa përfshirë taksat.
Ka edhe nga ato agjenci që ofrojnë paketa turistike me kroçiera për destinacione si Italinë, Spanjën, etj., me çmime që fillojnë nga 500 euro, ku përfshihen edhe taksat portale.
Në të gjithë botën, ky treg llogaritet në rreth 40 miliardë dollarë. Shpenzimet mesatare për pasagjerë, në rang botëror për vitin e kaluar, u llogaritën në rreth 1,700 dollarë. /Elona Bedalli – Monitor