Në takimin e kombëtares me Kryeministrin Edi Rama, të zhvilluar në “Wintergarten Hotel”, Bergamo të Italisë, sot në mëngjes, ka folur edhe kreu i ekzekutivit shqiptar, që u ka uruar rrugë të mbarë për në Francë kuqezinjve, si dhe ka kërkuar prej tyre të mos kontraktohen kurrsesi nga emocionet, por ta shijojnë në maksimum këtë moment unik në karrierë. Ai u ka kujtuar djemve të kombëtares se nuk përfaqësojnë thjesht Shqipërinë, si shtet, por mbarë kombin shqiptar.
“Unë erdha për t’u përshëndetur dhe uruar rrugë të mbarë, kampionat të mbarë dhe mbi të gjitha t’ju them se kemi një avantazh si skuadër, që objektivin maksimal e kemi arritur. Kështu, jam ‘ bindur se Gianni do ta thotë më mirë se unë, që presionin le ta mbajnë të tjerët. Arritja në finalet e “Euro 2016” është fitore e kampionatit. Duke qenë skuadër që luajmë për herë të parë, që nuk shihet si protagoniste, që nuk e ka presionin si kundërshtarët, kemi mundësinë të bëjmë më të mirën. Jepni në fushë gjithçka që keni. Pastaj, ju e dini më mirë se unë dhe të tjerët se mbi të gjitha ka rëndësi dhënia e shpirtit në fushë. Ju nuk përfaqësoni thjesht dhe vetëm Shqipërinë, por gjithë kombin, Shqipërinë, Kosovën, gjithë trojet ku banojnë shqiptarët.
Përfaqësoni faktikisht ëndrrën e shqiptarëve për sukses, për të qenë të barabartë dhe me dinjitet mes të tjerëve, me kapacitet për të dhënë më të mirën. Në fund të fundit përfaqësoni një komb, që e keni integruar ju, përpara gjithë ne të tjerëve, në Bashkimin Europian. Besoj se duhet t’ju shërbejnë të gjitha këto të vërteta, që të hyni në fushë me emocione pozitive, pa kontraktuar veten se mund të humbisni. Fakti që flamujt dhe zemrat e shqiptarëve janë rreth e rrotull jush në këtë kompeticion, është domethënia se e keni dhënë maksimumin. Po flisnim me Giannin dhe Armandon. Unë jam tifoz i hershëm i Italisë, por tani kemi skuadrën tonë në finalet e Europianit, ndaj kemi kë të mbështesim. Miqësoret mund të dalin si të duan, por në ndeshjet zyrtare është krejt tjetër.
Ndeshja me Ukrainën tregoi se mund të luajmë si të barabartë me të gjithë. Ajo humbje mund të shërbejë për të nxjerrë mësime, meqë ishte në kuadrin e përgatitjeve. Unë ju uroj çdo të mirë. Berisha, mos pëso gola, pastaj të tjerat rregullohen. E kam pasur të domosdoshme ta dua një Berishë. Shqyqyr që më dole ti. Të gjithëve ju përshëndes, sepse jeni djema fantastikë dhe do të bëni një kampionat fantastik. Pastaj, rezultatet le të vijnë si të jenë. Sot është dita më e bukur, sepse është maksimumi juaj. Më e rëndësishmja është të jesh pjesë e finaleve të Europianit, ndaj gëzojeni maksimalisht këtë moment karriere tuajën.
Eshtë një moment që do ta kujtoni shumë gjatë, ndaj merrni maksimumin, me qetësi të plotë. Sa më të qetë të jeni, aq më shumë shanse do të keni. E përgëzova presidentin për kostumin, kështu që nga ana estetike mund të konkuroni këdo. Sidomos me “Lokun”, që e keni top-model këtu, jeni në rregull. Sa më shumë pasion, me qetësinë më të madhe. Do të vij në ndeshjen e parë, ndaj Zvicrës. Jam absolutisht i bindur se do të jetë një eksperiencë fantastike. Merrini maksimumin, sepse është kulmi i karrierës të jesh pjesë e kombëtares, aq më shumë në finalet e një Kampionati Europian.”/Telesport