Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, përmes një deklarate për medie njofton se është duke e përcjellë me interes të shtuar procesin për kundërshtimin e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës se Kosovës të datës 20 maj 2016, për faljen e pronave të Ndërmarrjeve publike “Apiko” dhe “Iliria” për Manastirin e Deçanit, transmeton Koha.net.
Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, vazhdon deklarata, i bën thirrje publike tri gjykatësve shqiptarë të Gjykatës Kushtetuese Arta Rama-Hajrizi, Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, Gresa Caka-Nimani si dhe gjykatësit Altay Suroy, që të tërheqin nënshkrimet nga Aktgjykimi Nr.943/16, i cili është vendim anti kushtetues dhe i bazuar në vendimet e kohës se masave të dhunshme.
“Ne vlerësojmë se vendimi i kushtetueses është marrë në presion e faktorit ndërkombëtare dhe atij vendore, andaj me tërheqjen e nënshkrimeve të gjykatësve Arta Rama-Hajrizi, Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, Gresa Caka-Nimani si dhe gjykatësit Altay Suroy, është një dëshmi se ata janë kundër legjitimit të vendimeve të kohës se Millosheviçit”, përfundon deklarata. (b.an)