Askush nuk di të thotë se si do të mund të transformohej Migjeni, nëse do të kishte jetuar gjatë dhe të përjetonte realizmin socialist.
Ai vdiq në 26 gusht të vitit 1938, në moshën 27- vjeçare dhe për aq sa la pas, ai është konsideruar si një “uragan i ndërprerë”.
Dhimbja që shkaktoi vdekja e tij te njerëzit e dashur ishte e jashtëzakonshme. Këtë e dëshmojnë letrat që e dashura e tij, Bojka Nikolla, i dërgon motrës së Migjenit, njëkohësisht mikeshë e saj, menjëherë pas lajmit të keq. Në zgrip të dëshpërimit ajo mendonte t’i jepte fund jetës.
Letrat që ajo i dërgonte Ollgës janë përfshirë në librin e studiuesit Nasho Jorgaqi, “Migjeni në kujtimet e bashkëkohësve”.
Letrat e shkruara me dorë, të një epoke tjetër, edhe në mos qofshin të bukura për t’u lexuar, janë gjithmonë interesante. Mes radhësh lexon e, pjesërisht kupton, vitet nëpër të cilat kanë jetuar ata që i kanë shkruar.
Për shembull, në këto letra të gjata që mikesha e Migjenit, pas vdekjes së tij, i shkruan motrës së shkrimtarit, nuk ngjajnë me asgjë, as me më të ndjeshmin e romantikun e kohëve të mëpasshme (do ishte e tepërt të thoshim të sotshme).
Bojka Nikolla, më shumë sesa për të zbrazur dhimbjen e saj, duke i shkruar Ollgës, përpiqet t’i lehtësojë dhimbjen, t’i gjendet afër, qoftë edhe me fjalë ngushëlluese.
Ato nuk i lidhte vetëm Milloshi; të dyja, qysh më herët kanë qenë mikesha, ndërsa tani, kur shkruhet letra, i bashkon një dhimbje e madhe.
Dallohet një kujdes gati i tepruar i Bojkës, përmes fjalëve dashamirëse, për ta bërë Ollgën të ndihet më mirë. Ajo nuk merr përgjigje; mjaftohet me faktin që mund të jetë ngushëlluese. Nëpër radhë, përveç gjendjes së saj pas humbjes së të dashurit, do të njiheni edhe me dashurinë e tyre, ç’marrëdhënie kishin.
Nga ana tjetër, bisedat tregojnë gjithashtu për komunikimin e Migjenit me të motrat.
Këto letra janë pjesë e librit “Migjeni në kujtimet e bashkëkohësve” të studiuesit dhe shkrimtarit Nasho Jorgaqi, i cili skalit portretin e një prej poetëve më të mëdhenj shqiptarë, një prej themeluesve të prozës moderne shqipe, përmes kujtimeve të miqve të tij bashkëkohës.
Ndërsa vetë Jorgaqi rrëmon në bibliotekën e Migjenit, nëpër librat e tij, për të kuptuar më shumë nga ajo dritë që ndriçonte shpirtin e gjeniut, që u fik, në moshën 27-vjeçare.
E ndër të tjera, edhe letrat e Bojkas që i dërgon të motrës së Milloshit, ku i zbraz dhimbjen dhe ato momente dëshpërimi, gjatë të cilave mendonte t’i jepte fund jetës…
Letrat janë dërguar vetëm pak ditë pas vdekjes së Migjenit, i cili u nda nga jeta në 26 gusht 1936. Lexojini vetë, për të jetuar disa minuta në një epokë dashurie të vërtetë.
PJESË NGA LIBRI “MIGJENI NË KUJTIMET E BASHKËKOHËSVE” TË NASHO JORGAQIT
“Ollga ime e dashur,
Sillem nëpër shtëpi dhe qaj. Qaj si rrallë kur. Qaj dhe të dëgjoj edhe ty si qan. A të shkon nëpër mend se edhe unë, në të njëjtën kohë, qaj me ty Mirkon e dashur?
Do të donja të më dëgjoje se si dhe unë dënes me zë me ty. Oh, sa fatkeqe që jemi! Si nuk mund të vi tek ti të të përqafoj e dashura ime Ollga fatkeqe!
Ndoshta je krejtësisht vetëm atje?! E ndiej dhëmbjen tënde thellë, sepse është në të njëjtën kohë edhe dhëmbja ime.
Unë e kam dashur dhe respektuar. Unë nuk mund të ngushëllohem derisa mos të të shoh. A thua unë do të mund të të jap pak ngushëllim? Gjatë kësaj kohe jam në shtëpi, kam pasur momente që të vendosja për vetëvrasje.
Një dëshpërim i papërshkruar, nerva të tendosura më kishin mbërthyer. Më dukej në disa momente se po shkoja drejt çmendurisë. Një shqetësim kishte pllakosur shpirtin tim.
Dhe vetëm një gjë mendoja, një gjë të vetme dëshiroja, një gjë të vetme shpresoja dhe një gjëje të vetme i gëzohesha: ardhjes tënde. Por kur dëgjova se vetëm nga fundi i tetorit do vije, më lëshoji edhe ajo shpresë e vetme, kjo dëshirë e vetme, i vetmi gëzim që prisja.
Më dukej kjo tepër larg. Kur u lirova nga prangat e provimeve u ula që të shkruaj që këtej, por ndër ato ditë ndjeva dallgë të mëdha jetësore, që më hodhën dhe më coptuan pamëshirshëm në të gjitha anët. Ditët u bënë për mua gjithnjë e më të hidhura, shqetësimet në shtëpi gjithnjë e më të shpeshta, ndërsa varfëria bënte që të mos mendoja në asgjë tjetër.
Qenë atëherë këto momente, por vetëm momente, kur çdo gjë dukej e mundur. Por koha tashmë kishte kaluar dhe të gjithë, tek të cilët u interesova për adresën tënde, më thanë se sigurisht ti do ta kishe lënë qytetin.
Atëherë u shqetësova duke i numëruar ditët që duhet të kalonin derisa të të shihja më në fund. Plot një javë para se të merrja këtë lajm të zi, e kam parë në ëndërr pikërisht Mirkon tonë.
As që më shkonte nëpër mend se ishte aq keq, sepse për sa kam qenë e informuar si edhe pse ishte në sanatorium, kam kujtuar se ishte atje më shumë për studime, siç më pat thënë edhe vetë ai. Kur u zgjova nga ëndrra mendova se ç’është kjo që duhet të di-me siguri Mirko ende mendon për mua, thashë me vete, edhe përsëri mendova të të shkruaj, por në kokën time kishte ende shpresë dhe përsëri u ndala. Ndërsa dje mora vesh për këtë të vërtetë të tmerrshme, e cila më ka shkatërruar fare.
Unë do të kisha shumë për të treguar nga jeta e të dashurit tonë, Mirkos, dhe të të them ty se edhe ai në jetë ka qenë i lumtur. Kjo për mua është ngushëllim e mendoj se ashtu do të jetë edhe për ty, prandaj do të them vetëm diçka për këtë.
Ndoshta edhe ti vetë e ke vërejtur se ai më ka dashur, edhe pse unë këtë e kam fshehur prej teje sipas dëshirës së tij.
Kur e kam pyetur se duhet të të them ty, sepse unë me ty gjithnjë kam thënë gjithçka, ai m’u përgjigj:
“Më mirë mos, motrat ndoshta e shohin edhe vetë, por unë nuk dëshiroj që ato, qoftë edhe për një çast, të mendojnë se unë dashurinë time ia fal edhe ndokujt tjetër përveç tyre”.
Pas kësaj unë i thashë se dashuria e tij ndaj jush do të mbetet kurdoherë e paprekur dhe dashuria ndërmjet nesh është një lloj tjetër dashurie, entuziazëm, që nuk e gjen në jetë shpesh dhe se ju, motrat e tija, do të gëzoheshit për këtë. Dhe mbeti ashtu siç deshi ai. Unë kundrejt tij kam qenë, mund të them lirshëm, shumë e përkujdesur.
Nuk është se jam shtirur, por ashtu e kam ndjerë veten, ka qenë kjo krejtësisht në mënyrë të sinqertë dhe ai e meritonte. Kur ma shfaqi dashurinë për të parën herë me anë të një letre, unë i jam përgjigjur se edhe tek unë ka lindur e njëjta ndjenjë dhe se edhe unë e dashuroj dhe e respektoj.
Më vonë qe i lumtur. Këtë e keni vërejtur, kur unë fillova t’ju vizitoj aq shpesh. E kemi kaluar kohën me biseda e këngë.
Ja disa nga fjalitë e tija nga letra e parë, që janë gdhendur në kujtesën time:
“Ti je kundrejtmeje aq e ëmbël, më e ëmbël sesa ëngjëlli që nuk ekziston… Kam dashuruar e kam puthur, por vetëm te ty kam gjetur qenien e vërtetë shoqërore”.
Dhe më në fund përfundonte kështu: “Sidoqë të shkojnë punët, ne mbetemi miq, si thua Bojka? Se unë jam mësue me dështime, që jeta m’i ka kurdisur në çdo hap, moj Bolko (dhimbja) ime”. Në rastin më të parë unë iu luta të ma shpjegonte pse më ka quajtur Bolko. Më tha se unë për të mund të isha dhembje po mos ta dashuroja.
Unë i thashë se një gjë e tillë nuk mund e nuk do të jem në asnjë mënyrë sepse e dashuroj dhe që kjo mos ta shqetësoj fare- dhe në fakt e kam dashur.
Ndoshta do të pyesësh pse nuk kemi shkëmbyer letra më vonë, kur unë erdha në Tiranë.
Kjo përsëri ka qenë dëshira e tij, sepse kishte frikë që të mos më dëmtonte. Ty të kujtohet se unë për këto gjëra kam qenë e pafuqishme dhe se në kundërshtim me çdo gja, madje edhe këtë që më kishte ndaluar, e kam kërkuar shoqërinë tuaj, se ajo ka qenë për mua më e këndshmja dhe më e sinqerta.
Kur po përgatiteshim për në varkë për herën e dytë dhe që unë nuk mendoja të shkoja edhe ai vetë kishte hequr dorë, duke e justifikuar se nuk e ndiente veten mirë.
Kur erdha në atë mëngjes te ju, e pyeta Çvetkën: “Ku është Mirko?”, më tha se është në dhomë. Unë hyra pa u ndjerë tek ai. Rrinte te tryeza dhe shkruante. Kur më pa i shkëlqeu fytyra nga buzëqeshja. Unë i përkëdhela flokët dhe e pyeta çfarë do të shkruante dhe ai m’u përgjigj: “Për ty e dashur, lexoje!” Të bekoj, o shi… që u bëre shkas të qëndroj te shtëpia, të jem sa më afër Bojkës sime të dashur dhe të mos shkoj në Vrakë.
Jam i lumtur dhe i stërlumtur…”. Unë fillova të qeshja dhe ai më ndërpreu, që të lexoja më tutje dhe më tha me gëzim: “Kur je ti këtu, atëherë edhe unë jam shëndoshë-të shkojmë së bashku!”.
Dhe kjo ditë qe për të plot gëzim, këtë ma tha më vonë dhe mua më kujtohet, sepse kam qenë kundrejt tij e përkujdesur edhe pse dëgjoja andej këndej qortime nga injorantët, të cilët të gjitha këto i shikonin me sy tjetër.
Por, megjithëkëtë, e qortoj veten që në kohët e fundit nuk i shkrova ndonjëherë. Por ku ta dinja unë, fatkeqja, se ai do të na linte shpejt? Unë gjithnjë kam shpresuar se do të përjetonim një çast të lumtur kur ti do të diplomoheshe, se do vije këtu së bashku me mua dhe e mendoja atë ditë si diçka madhështore.
Ky ka qenë gëzimi im i parë për të cilin kam shpresuar. Fatkeqësisht ky gëzim qe vetëm iluzion. Kjo vdekje është fatkeqësi e madhe, Ollga ime e dashur. Nuk e ndjen vetëm ti humbjen, por edhe ne që e njohëm dhe e tërë shoqëria, sepse ai ka qenë me të vërtetë një qenie shoqërore, një personalitet që do t’i kishte sjellë shumë dobi shoqërisë.
Por jeta, ajo që do, që ndjen dhe kupton, është e shkurtër. Të lutem e dashura ime Ollga, bëhu trime sa të jetë e mundur më shumë.
E kemi për detyrë t’i bëjmë ballë çdo fatkeqësie që na ndodh në jetë. Unë e ndjej edhe dhembjen tënde, edhe vetminë tënde dhe sigurisht që dëshiron të shihesh me motrat dhe me to të vajtosh, por e di që edhe këtu ke një pengesë- detyrën që ke marrë përsipër. Kemi për detyrë që të jetojmë dhe punojmë për të tjerët, si ti ashtu edhe unë.
E di që s’je e qetë, e kuptoj plotësisht gjendjen tënde të rëndë e kritike dhe e ndjej të vërtetën e tij edhe unë, e dashur Ollga, e di që s’mund të mendosh e jo më të mësosh, e di që je fatkeqe për shkak të humbjes shumë të madhe e të pazëvendësueshme, por të lutem mendo për ata, që pas tij i do më shumë dhe le të jenë për ty ngushëllimi dhe kuptimi i jetës.
Sepse është e lehtë t’u japim fund jetëve tona, unë do ta bëja e para këtë gjë, sepse për mua e tërë jeta është një mizerje, kudo pengesa e fatkeqësi, por duhet ecur përpara për të mirën e të tjerëve.
“Dashuria njerëzore”-ishte parimi i Mirkos sonë të dashur, ti këtë e di dhe do ta mësojnë të gjithë, sepse kështu njoftojnë edhe gazetat, dhe ai do të rrojë gjithmonë në ndjenjat e kujtesën tonë dhe në veprat e tija.
Të përqafoj me dhembje në shpirt, Ollga ime e dashur, dhe të lutem t’i dëgjosh lutjet e mia, të bëhesh trime, trime e vërtetë, që të përballosh me kurajo fatkeqësinë.
E jotja Bojka
Pres të më dërgojnë adresën tënde dhe prit këtë letër të dhimbshme.
* * *
Çdo ditë që kalon, dhimbja ime për Mirkon bëhet më e madhe. Diçka më shtrëngon në gjoks kur mendoj për atë, për ty dhe motrat e tua, më zgjohen kujtimet e kohës kur ishim së bashku. Kam menduar se do të ripërtërihen…
Më beso, që të them, se deri tani asnjë nuk kam qarë si atë. Vdekja e askujt nuk më ka paralizuar kaq shumë forcat dhe gjallërinë si ajo e tija; asnjëherë nuk kam qenë më e humbur në vetvete sesa tani dhe pareshtur mendoj për ty, o e dashura ime Ollga, për motrat e tua, për Çvetkën, që ka sakrifikuar aq shumë, por më tepër mendoj për ty, sepse ti tani je në gjendje më të vështirë. Jam me ty edhe pse ti nuk më shikon.
E jotja Bojka
* * *
Në qoftë se gjen mundësinë, më shkruaj e dashur Ollga në adresën: B Nikolla/ rruga “Miss Edith Durham” 17/ 9.IX.1938
P.S Sot mora adresën tënde dhe nxitoj të të dërgoj këtë letër. Pareshtur mendoj për ty Ollga ime e dashur. E ndjej dhembjen tënde po aq sa ti dhe gjithnjë mendoj si ndjehesh dhe çfarë bën tani. Bëhu trime, të lutet Bojka jote, më beso se të dua me gjithë thellësinë e shpirtit, Ollga ime. Të përqafoj me dhembje në shpirt.
E jotja Bojka
ANI JAUPAJ/Panorama/d.i.