Irani i ka hedhur poshtë akuzat amerikane se e sponzorizon terrorizmin, duke thënë se i mbështetë vetëm “përpjekjet legjitime të vendeve që janë të okupuara”.
Zëdhënësi i Ministrisë së jashtme të Iranit, Hossein Jaberi Ansari, këto komente i ka bërë sot, pak kohë pas publikimit të raportit të Departamentit amerikan të shtetit, ku përmendet se Irani është njëri nga sponsorët madhor të terrorizmit në botë.
Në raport, po ashtu, theksohej se Irani po i nxitë konfliktet në Siri, Irak dhe Bahrejn.
Ansari tha se ushtria amerikane i ka mbështetur grupet terroriste në Irak, Afganistan, Siri, Libi dhe Jemen, transmeton REL.
Sipas tij, Uashingtoni, “i mbyll sytë ndaj mbështetjes së gjërë politike dhe financiare të terrorizmit nga Arabia Saudite dhe aleatët e vet të tjerë”. (b.an)