Ngjyrat kuqezi të Shqipërisë do të dominojnë edhe në Zvicër gjatë Europianit. Këtë e tregon më së miri bilanci i shitjeve të artikujve sportivë në këtë vend, ku tregtarët janë ankuar se ka pak interes për kombëtaren vendase dhe më shumë për atë shqiptare.
Gazeta “Schweiz am Sonntag”, ka pyetur disa tregtarë të ndryshëm të cilët kanë treguar të zhgënjyer se ka shumë pak interes për fanellat sportive të Behrami &Co dhe se nuk ka eufori për kombëtaren e drejtuar nga Petkoviç.
“Në krahasim me Botërorin 2014, shitjet janë më të ulëta”, ka treguar përgjegjësi i një filiali të Zyrihut për “Ochsner Sport”. “Atëherë edhe koha ishte më e mirë dhe nuk ekzistonte frika e terrorizmit apo grevave që po ndodhin këto ditë në Francë”.
Për nëse për Zvicrën nuk ka eufori, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Shqipërinë. “Artikujt e Shqipërisë, nga fanella e deri te artikujt e vegjël, po shiten si të ishin panine”, shtoi ai, duke konfirmuar se për momentin, fanella më e kërkuar ishte ajo e një shqiptari të Zvicrës, Xherdan Shaqirit. “Por nuk do të habitesha nëse do të shitnim më shumë fanella të Shqipërisë sesa të Zvicrës”, ishin fjalët e tij për të përditshmen zvicerane.
Edhe përgjegjësi i marketingut të kompanisë “Athleticum” ka deklaruar se deri tani, fanella më e shitur në pikat e saj në Zvicër ka qenë ajo shqiptare.
Panoramasport/d.i.