Partia Demokratike akuzoi sot kryetarin e Bashkisë së Divjakës se është implikuar në trafik prostitucioni në Itali. Në një dalje publike për mediat, kreu i selisë blu në Lushnjë, Myslym Murrizi pohoi se Kokoneshi duhet të përgjigjet për akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Në fillim të deklaratës për media, u shfaq në monitor ish-sekretari i Partisë Socialiste të Divjakës, Berti Mone, i cili akuzonte publikisht Kononeshin për lidhjet e tij me trafikun e prostitucionit. “Fredi Kokoneshi merrej me prostitucion. Një vajzë nga Kombinati. Prostitutën e arrestoi policia, dhe ai erdhi për tërë natën në Shqipëri. Më thotë mua: Asaj prostitutës i dhashë 30 mijë lireta që mos të më denonconte.”, pohoi Mone në videon në fjalë.
Referuar këtyre akuzave, Murrizi pohoi se: “Shihni dhe dëgjoni çfarë thotë ish-sekretari i Partisë Socialiste të Divjakës, ish drejtori i ndërmarrjes së plazhit, Berti Mone, pra bashkëpunëtori kryesor i kryetarit të Bashkisë Kokoneshi. Pra, ky mik i Kokoneshit për 32 vjet, bashëpunëtor i tij i afërt, rrëfen ngjarje konkrete, rrethana konkrete që janë indicie për të verifikuar akuzat se Kokoneshi është marrë me trafik prostitucioni. Kjo është akuzë publike që Kokoneshi, kryetari i Ramës në Bashkinë e Divjakës nuk e ka mohuar. Prej një viti gjendet nën këtë akuzë, dhe Kokoneshi nuk e ka kurajon ta përgenjështrojë ose ta padisë për shpifje z.Mone. Në formularin e dekriminalizimit ai e pranon që ka qënë në Milano, pikërisht në periudhën të cilën përmend miku tij prej 32 vitesh. Por nuk ka dhënë motivin, arsyen pse ka qënë në Milano.”.
Më tej kreu i PD-së së Lushnjës i bëri thirrje prokurorisë të hetojë lidhur me këto akuza.
“Bashkë me shumë qytetarë, ne këtë i kërkuam dy ditë më parë, të japë llogari për akuzat. Të përgjigjet për goditjen prej rivalitetit në trotuaret e Milanos, të përgjigjet për shumat që paska fituar me vajzën nga Kombinati për muajin gusht në vitin 96. Ai jo vetëm nuk përgjigjet, por akuzave për trafik prostitucioni i shton dhe shpifje të ulëta. Mashtron duke thënë për mua se jam i dënuar për mitmarrje. Dua tiu tregoj këtu vendimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë numër 423 datë 25.04.2007, që dëshmon pafajësinë time. Kokoneshi nuk do ti shpëtojë dot akuzave për trafik prostitucioni duke shpifur. Partia Demokratike e fton sërish prokurorinë të shqyrtojë dhe të hetojë të gjitha të dhënat që bën publike, ish sekretari i Partisë Socialiste për Divjakën dhe miku i Kokoneshit për 32 vite.”, citohet në deklaratën e Murrizit.
d.i.