Ndihmës Sekretarja e shtetit për Çështjet Europiane dhe të Euroazisë Victoria Nuland ka patur një bashkëbisedim me liderin e opozitës Lulzim Basha dhe i ka kërkuar këtij të fundit që të miratojë reformën në drejtësi pa humbur kohë.
Nuland, shkruan njoftimi i Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, i ka thënë Bashës se takimi që ai do të mbajë të hënën e ardhshme me kryeministrin Rama do duhet të shërbejë miratimit pa humbur kohë të reformës në drejtësi.
Njoftimi i Ambasadës së SHBA në Tiranë:
Ndihmës-Sekretarja e Shtetit për Çështje Europiane dhe të Euroazisë Victoria Nuland i telefonoi sot udhëheqësit të Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha për të nxitur përparim lidhur me përpjekjen për reformën në drejtësi.
Ndihmës-Sekretarja Nuland theksoi se udhëheqësit e partive politike duhet ta përdorin takimin e 6 qershorit midis Z. Basha dhe Kryeministrit Rama për të rënë dakord për miratimin e shpejtë të një pakete reforme kuptimplotë dhe tërësore në drejtësi.
Nuland theksoi se kjo reformë gëzon mbështetje të mirë mes popullit shqiptar dhe mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së./ java/ a.k