Ekipi kosovar ka zhvilluar mbrëmjen e kësaj të premteje miqësoren e parë zyrtare që pas njohjes nga dy organizmat më të lartë të futbollit europian dhe botëror, respektivisht UEFA-s dhe FIFA-s.
Ndeshja me Ishujt Faroe, e zhvilluar në Frankfurt të Gjermanisë përfundoi me rezultatin 2-0 për verdheblutë, me autorë të golave 32-vjeçarin Albert Bunjaku dhe Elbasan Rashanin në minutën e dytë shtesë, shkruan TCH.
Ndonëse ishte vetëm një miqësore, ajo mes Kosovës dhe Ishujve Faroe dukej sikur po luhej për ndonjë kompeticion zyrtar, pasi të dyja skuadrat dukeshin tepër të vendosura në fushë dhe shfaqën shumë grintë e nervozizëm përgjatë gjithë ndeshjes.
Shumë pak raste për shënim, por dy kartona të kuq janë shënuar gjatë 90 minutëshit, nga një për secilën skuadër: Bersant Celina la fushën e lojës në minutën e 40 të pjesës së parë si pasojë e një ndërhyrjeje të ashpër, ndërkohë që vetëm 4 minuta më pas kosovarët shënuan.
Në pjesën e dytë, sërish shenja nervozizmi në fushë dhe kësaj radhe ishte një prej lojtarëve të Ishujve Faroe që la fushën e blertë, 9 minuta nga fundi i takimit, sërish për shkak të një ndërhyrje të rëndë me takë. Arbitri akordoi 4 minuta shtesë, ndërsa në të 92-tën ishte Bernard Berisha, ai që nga e majta dha një pasim për Elbasan Rashanin, që realizoi golin e dytë.
Ndonëse Kosova kishte luajtur më parë një miqësore me Haitin, të përfunduar në barazim pa gola, në mbikëqyrjen e UEFA-s, kjo e sotmja me Ishujt Faroe pritet të shënohet edhe si e para miqësore zyrtare për ekipin më të ri të Europës (së bashku me Gjibraltarin) ndërsa Albert Bunjaku shënon kështu të parin gol zyrtar për kombëtaren e tij. TCH