Edhe pse palët politike ranë dakord që Komisioni i Venecias do të thoshte fjalën e fundit për reformën në Drejtësi, Partia Demokratike nuk i është bindur opinionit final.
Java News zbardh një pjesë të ‘retushimit’ që PD kërkon t’i bëjë draftit që ka marrë bekimin e Venecias, ndërsa pikat kryesore lidhen me emërimet, por edhe me eliminimin e disa organeve të reja që pritet të krijohen.
Në fakt, bashkëkryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi, pak ditë më parë tha se janë një numër i madh organesh të cilët nuk kanë arsye të ekzistojnë. Deputeti demokrat i përqeshi institucionet në fjalë duke i cilësuar si QUIZ ndërkohë që interpretimi në fjalë erdhi pak ditë para takimit Rama-Basha.
Një krahasim i Opinionit Final të Venecias dhe draftit me propozimet e reja të PD nxjer në pah se partia kryesore e opozitës kërkon që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të emërohen nga Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë dhe do të përzgjidhen nga një listë e përgatitur nga Gjykata Kushtetuese. Në draftin e PD përjashtohet Këshillimi i Emërimeve në Drejtësi, organ ky i miratuar nga Venecias e cila shprehet se “Pjesëmarrësit e Këshillimit të Emërimeve të Drejtësisë në përzgjedhje të kandidatëve që do të emërohen nga President dhe Kuvendi më tej pakëson dhe më tej rrezikun e emërimeve me natyre politike”.
Ndërkohë, PD këmbëngul që anëtarët votohen nga Kuvendi me 3/5, dy herë rradhazi dhe në rast se për herën e tretë kjo mazhorancë nuk arrihet, atëherë tre kandidatët e parë nga lista emërohen automatikisht.
Drafti i Partisë Demokratike ngjall habi edhe për pjesën e funksionimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas draftit të ri, që është bërë edhe pengesa kryesore për miratimin e reformës, kërkohet që KLD të zgjasë aktivitetin e tij deri në fund të mandatit të Presidentit Bujar Nishani.
Drafti aktual i propozuar nga PD i përqëndron kompetencat te Gjykata Kushtetuese.Ndryshe nga gjykatat e zakonshme, Gjykata Kushtetuese ka një përbërje politike për shkak të përzgjedhjes së anëtarëve të saj. Shumica e anëtarëve të tanishëm të kësaj gjykate janë përzgjedhur gjatë qeverisjes së mazhorancës së mëparshme, opozita e sotme. Nga drafti në fjalë del qartë se tendenca e PD është për të ruajtur status quo-në e tanishme të sistemit të drejtësisë për aq kohë sa të jetë e mundur dhe se opozita ka preferencat e saj ndaj disa institucioneve si përshembull Presidentit të Republikës dhe Gjykatës Kushtetuese.
javanews.al / r.a