Ish- kryeministri Berisha dhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, duket se nuk e mirëpresin takimin mes Ramës dhe Bashës. Kjo për faktin se ata ndjehen të mënjanuar nga procesi i bisedimeve për arritjen e konsensusit për Reformën në Drejtësi, por edhe nga ndonjë marrëveshjeve e mundëshme pas perdesh mes dy kryetarëve të partive më të mëdha në vend.
Burime të besueshme bëjnë të ditur për Javanews se prej disa ditësh ka pasur një sërë kontaktesh për riformatimin e këtij takimi, ku pjesë e tryezës për konsensus të ishin edhe Berisha dhe Meta. Thënë thjeshtë, ideja ka qenë që takimi të ishte një kuartet ku nga opozita të ishin Berisha dhe Basha dhe nga mazhoranca Rama dhe Meta.
Mesazhin e parë që në tryezën e takimit Rama – Basha të ishte edhe Meta e lëshoi ish- kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Një propozim ky që u duk pak “naiv”, por nën dritën e zhvillimeve të fundit, del se në fakt ishte një propozim i menduar mirë, jo më shumë prej saj, sesa nga persona me ndikim në PD.
Miratimi i këtij propozimi të Topallit, do të bente automatikisht që dhe Basha, krahas stafit, për baraspeshim, të vinte në tryezë edhe me një figurë tjetër nga opozita, i cili mësohet se do të ishte ish- Kryeministri, Berisha. Formula e kuartetit mësohet se u është bërë prezent edhe diplomatëve të rëndësishëm në Tiranë nga ana e personave me ndikim në PD, me arsyetimin justifikues se “nuk mund të lihen jashtë tryezës së konsensusit krerë partish që kanë një numër të madh votash në Kuvend”.
Mësohet se Basha nuk ka qenë kundër kësaj formule, por kjo ide nuk është pranuar nga Rama. Të rezervuar ndaj kësaj ideje mësohet se kanë qenë edhe diplomatë perëndimor. Duket se përgjigja përfundimtare e “Jo”-së nga ana e Kryeministrit ka ardhur të enjten e kaluar, gjë që solli si pasjë edhe reagimin e egër të Berishës në Kuvend, duke mos kursyer as fjalorin ndaj kreut të qeverisë.
Në një provë force edhe ndaj Bashës se kush komandon ende grupin parlamentar dhe se kush i administron votat në Kuvend, pas vendimit për përjashtim për 10 ditë nga seancat plenare, Berisha tërhoqi dhe deputetët e PD-së nga Kuvendi.
Nga ana tjetër as Meta duket se nuk ndejti “duarkryq”. Ai mblodhi dje KD të LSI ku nuk ngurroi të deklaronte se kjo forcë politike ka 20 vota në Kuvend, duke lënë të kuptohet se nuk është një faktor që mund të injorohet, pavarësisht takimit Rama- Basha. Madje sipas burimeve në mbledhje, Meta nuk harroi të nëvizojë se Berisha “është njeri i besës”.
Ndërkaq ish kryeministri Berisha duket se nuk e gëlltit faktin se është lënë jashtë një tryeze, e cila mund të ndryshojë fatin e Shqipërisë, sa i përket jo vetëm Reformës në Drejtësi. I mësuar që të ketë nën kontroll gjithçka ai duket se nuk e koncepton dot që të mos kontrollojë pasardhësin e tij në postin e kreut të PD-së, i cili mund të bie dakord me Ramën qoftë dhe për bashkëqeverisje PD- PS, pa bekimin e tij.
Nga ana tjetër edhe Meta nuk dëshëron të mbledhë thërrmiat që bien nga kjo tryezë, duke mos pasur asgjë nën kontroll. Më shumë se për Reformën, Berisha dhe Meta do të donin të ishin të pranishëm thjeshtë për ta kontrolluar atë. Në pamundësi të kësaj, ish kryeministri Berisha ka zgjedhur një strategji tjetër duke artikuluar se ka video seksi apo aferash ndaj ministrave. Duke lënë të nënkuptohet se edhe Meta është në dijeni të tyre.
Kjo strategji nga njëra anë duket se synon ta shantazhojë dhe nga ana tjetër për të bërë sa më të vështirë tryezën. Deri ditën e hënë do të dëgjojmë me gjasë edhe gjithëfarëlloj lajmesh, por që në themel kanë frikën dhe mosbesimin e dy ish-kryeministrave ndaj tryezës Rama-Basha.
(javanews.al) Me. Ar