Partia Demokratike ka akuzuar sërish kryeministrin Rama për “mbrojtjen që sipas selisë blu po i bën Elvis Rroshit”. Kjo mbrojtje sipas kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj po ndodh edhe pasi Rama u njoh me dënimin e Elvis Rroshit për përdhunim në grup.
“U pa botërisht se njeriu i tij është dënuar për këtë vepër të rëndë, e megjithatë Edi Rama sërish nuk është distancuar, nuk ka kërkuar ndjesë para qytetarëve të vendit që i poshtëroi duke kandiduar e rikandiduar Roshin. Edi Rama ende nuk ka marrë një akt për shkarkimin e tij, edhe pse Prokuroria ka nisur ndjekjen penale për fshehjen e të dhënave. Pasi e justifikoi përdhunimin e Roshit, pasi deklaroi se Roshi është si gjithë shqiptarët që kanë emigruar, Rama organizoi dhe një miting në mbështetje të tij, dhe sot janë të gjithë të dhënat që po e ndihmon t’i fshihet drejtësisë”, tha Alibeaj.
“Ja sa seriozisht e ka dekrimalizimin Edi Rama, që ofron mbrojtje të gjithanshme për kryetarin e tij të bashkisë, kur kapet me krime të rënda e me fshehjen e tyre. Mbrojtja e Ramës për të dënuarin për përdhunim arriti kulmin mbrëmë, kur Taulanti i tij e quajti Kavajën një qenef të madh, ndërsa Roshin shpëtimtarin e saj. Edi Rama vazhdon të poshtërojë qytetarët e Kavajës në mënyrë të përsëritur. Iu kërkua të mos i poshtërojë qytetarët, i thanë faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë mos e kandido Roshin se është i dënuar në Zvicër për drogë, ai sërish e bëri. I doli tashmë i dënuar edhe për përdhunim, sërish Edi Rama zgjedh të qëndrojë në krah të Roshit e të fyejë popullin, qytetarët e Kavajës. Nëse Edi Rama i ka mundësuar edhe arratinë, njësoj si Frrokut, ne i themi prokurorisë ta kërkojë Elvis Roshin në zyrën e kryeministrit. Aty ta kërkojë sepse Elvis Roshi dhe Edi Rama janë një, janë i njëjti person, janë të pandarë”, shtoi Alibeaj./a.m.