Autoritetet gjermane në bashkëpunim me ato franceze kanë parandaluar një sulm terrorist të Shtetit Islamik që do të godiste qytetin e Dyseldorfit.
Tre shtetas sirianë, që dyshohet se po planifikonin sulmin, janë arrestuar në shtete të ndryshme gjermane, ndërsa një person i katërt, i cili informoi autoritetet e Parisit lidhur me qëllimet e ISIS, gjendet në ngarkim të policisë franceze.
Zyra e Prokurorit Federal në Gjermani tha përmes një deklarate se sipas planit 2 burra do të hidhnin veten në erë në qendër të Dysledorfit para se agresorë të tjerë të vrisnin sa më shumë njerëz që të mundeshin me armë zjarri dhe eksplozivë.
Gjithsesi në deklaratë sqarohet se nuk ka tregues që të sugjerojnë se militantët kishin nisur përgatitjet konkrete. Të ndaluarit në Gjermani janë të moshës 27, 25 dhe 31 vjeçare, të gjithë nga Siria, ashtu si edhe informatori.
Autoritetet gjermane nuk i publikuan të plotë emrat e tyre mbi bazë të rregullave të privatësisë në vend. Dy prej tyre, Saleh Abdeslam dhe Hamza C. ju bashkuan ISIS në Siri në vitin 2014 dhe u udhëzuan nga lidershipi i grupit për të kryer sulmet në Dyseldorf.
Dyshja udhëtoi në Turqi në maj të vitit 2014 me miratimin e Shtetit Islamik dhe në muajt mars e korrik të 2015-s mbërritën në Gjermani përmes Greqisë. Sipas prokurorëve, ata e bindën shtetasin Mahud B. të bëhej pjesë e komplotit përpara muajit janar të këtij viti.
Po në këtë periudhë grupit ju bashkua edhe një tjetër militant i cili do të përgatiste veshjet eksplozive që do të përdoreshin për sulmin. Plani u dekonspirua nga Saleh A. më 1 shkurt. Që prej atëherë ai vazhdon të jetë në ngarkim të autoriteteve franceze dhe prokurorët gjermanë kërkojnë ekstradimin e tij.
TCH/d.i.