Nënkryetari i PD-së, Edmon Spaho, ka vlerësuar sot se sondazhi i Dhomës Amerikane të Tregtisë ishte një dush i ftohtë për qeverinë, lidhur me propogandën e saj fodulle të një pranvere ekonomike. Sipas tij, ky sondazh tregoi rënie të besimit të biznesit me 4.83 pikë, për shkak të taksave të rritura, korrupsionit, monopoleve.
“Të vërtetat e këtij raporti janë tronditëse për gjithkënd. Jam tejet i shqetësuar rreth gjetjeve të këtij raporti u shpreh ambasadori amerikan. Po këtë e thotë dhe FMN. E thotë dhe Banka Botërore. E thotë çdo biznes në vend, e çdo investitor. Vetëm Rama e ministrat e tij shprehen se “nuk ka vend për shqetësim pasi gjithçka është një perceptim i gabuar”. Përse shprehen kështu? Sepse ekonomia e tyre personale njeh vetëm pranverë, vetëm lulzim”, thekson Spaho.
Sipas tij, nga 27 indikatore, 24 prej tyre janë në rënie dhe kjo është hera e parë që besimi rezulton me rënie, qysh kur Dhoma Amerikane e Tregtisë ka filluar të publikoje këtë indeks. Spaho nënvizon se 65% e bizneseve të Dhomës Amerikane janë shprehur se klima për të bërë biznes është e pavaforshme apo shumë e pafavorshme.
“Burokracia e qeverisë, monopolet dhe konkurrenca e pandershme, niveli i përgjithshëm i taksave, janë tre elementet kryesore qe shqetësojnë bizneset amerikane ne Shqipëri. Me rënie të ndjeshme dhe mjaft shqetësuese rezultojnë marrëdhëniet me tatimet e doganat. 70 përqind e të anketuarve e konsiderojnë nivelin e taksave si të pafavorshëm, ose shumë të pafavorshëm për bizneset. Ky tregues ka shënuar rënien më të madhe nga viti 2014, me pothuajse 7 pikë. Ky është realiteti dramatik i ekonomisë sot, dhe jo propaganda rozë që dëgjojmë çdo ditë nga Ahmetaj dhe Edi Rama” komenton nënkryetarii të Partisë Demokratike, Edmond Spaho.
ma.me