Pas arrestimit të njërit prej personave të dyshuar për vrasjen e shtetasit Hyqmet Nexhipi, në muajin janar në Vlorë policia ka publikuar edhe pamjet e arrestimit të këtij shtetasi.
Në pamjet e publikuara nga policia janë momentet e shoqërimit të shtetasit Flobenc Gega, 34-vjeç, i cili akuzohet për bashkëpunim në ekzekutimin e pronarit të peshkarexhës.
Gjithashtu, është shpallur në kërkim edhe autori i dytë, Deison Nallbani, 30 vjeç banues në Vlorë.
Flobenc Gega, në mometin e ndalimit është kapur me armë zjarri pistoletë tip “Glock”.
Arrestimi i shtetasit Flobenc Gega, u bë pasi gjatë hetimeve të kryera, ky shtetas është identifikuar si personi që ka siguruar kushtet dhe mjetet për kryerjen e kësaj vrasjeje.
Nga informacionet që disponohen nga Policia e Shtetit, Flobenc Gega është person me precedent penal, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet Gjermane për “Grabitje” dhe “Plagosje”.
Gjithashtu, i dënuar nga autoritetet Belge dhe Italiane për “Pjesëmarrje në organizatat kriminale me aktivitet në fushën e narkotikëve, prostitucionit, vrasjeve dhe për kryerjen e 180 grabitjeve me dhunë dhe armë”./a.m.