Faqja zyrtare e gjigandit mediatik CNN në Greqi, ka zbardhur një pjesë te dëshmisë së 28-vjecarit Emiliano Nana nga fshati Tosk-Martalloz i Tepelenës, i arrestuar nën akuzën e bashkëpunimit në vrasjen e 26-vjecarit Bledar Terpollari në Gliki të Igumenicës.
Nana u paraqit dje para Gjykatës grek, së bashku me të arrestuarin tjetër Pajtim Jaupi, 28-vjec, po nga Tepelena. E ndërsa ky i fundit vazhdon të mos pranojë akuzën, Nana duket se është zbërthyer pjesërisht.
“Pashë njërin nga të akuzuarit me mua të trokiste portën. Viktima e hapi dhe doli disa hapa jashtë kasolles dhe nisi të pyesë se çfarë duam në të tillë orë të natës.
Njiheshim nga çështja e drogës dhe ai u përpoq të gjente diçka të thoshte për paratë që kishte borxh. Vrasësi e shtyu me forcë dhe e futi brenda në kasolle. Ne ishim jashtë dhe u dëgjua një e shtënë.
Disa minuta më vonë e pashë të nxirrte jashtë të vdekurin dhe me një thikë që kishte me vete i preu kokën. E pashë të fuste thikën dhe kokën në një çantë dhe ta fshehte në portbagazh.
Ikëm me makinë deri në një vend pranë kufirit. Ai tha që do të kalonte më këmbë kufirin pasi në doganë do të bëhej kontroll. Do ta çonte kokën tek bosi i kokainës dhe do të merrte shpërblimin”, mësohet të jetë shprehur Nana.
Sipas burimeve, e gjithë dëshmia e tij i referohet veprimeve të 27-vjecarit Krenar Terpollari, kushëri me viktimën. Policia greke e Igumenicës ka dyshime të forta se Nana ka rol kyç në vrasje por përpiqet t’i faturojë gjithçka Krenar Terpollarit. Megjithatë ai vazhdon të mos tregojë se kush e ka porositur vrasjen e Bledar Terpollarit apo detaje të tjera të rëndësishme të krimit. Panorama/ a.k