“Kushëriri që më vrau vëllain nuk është njeri, por monstër. Ai fshihet në Skrapar. Policia duhet ta arrestojë sa më shpejt, pasi rrezikohet jeta e familjarëve të mi”.
Kështu është shprehur vëllai i shqiptarit, të cilit iu pre koka vetëm disa ditë më parë në fshatin Gliki të Igumenicës për çështje droge.
“Nuk e besoja kurrë që vëllai ishte vrarë nga kushëriri im. Akoma nuk e besoj dot. Ai e bëri atë krim dhe do paguajë për këtë. Shteti duhet ta gjejë sa ma parë dhe ta arrestojë të afërmin tim. Bashkëfshatarët më kanë thënë se Krenarin e kanë parë në pyll. Gjithashtu, më kanë thënë se vrasësi i vëllait tim është i maskuar, pasi ka frikë se e identifikojnë dhe e kapin. Ai fshihet në Skrapar, ndaj policia duhet ta arrestojë sa më parë, pasi kemi frikë”, thotë Bardhi Terpollari, vëllai i Bledar Terpollarit.
Në një intervistën për gazetën Shqiptarja, ai thotë se ‘hetuesit grekë më marrin çdo ditë në telefon dhe më thonë çdo detaj që kanë zbuluar. U kam kërkuar që të më sigurojnë mbrojtje, por më thanë se këtë duhet ta bëjë shteti shqiptar. Kur u zbulua vrasja, policia greke më mbajti 4 ditë në paraburgim’. Ai ndër të tjera bën apel që autoritet të gjejnë kokën e vëllait. “E para, nuk lodhem duke kërkuar kokën e vëllait tim. Dua që im vëlla të prehet i qetë. Ndërsa kërkoj mbrojtje të menjëhershme nga shteti im, sepse autori monstër ndodhet në fshat”, thotë Bardhi Terpollari./a.m.