Në bazë të një hetimi dyjavor të Prokurorisë së Shkodrës, sot janë ndaluar drejtoresha dhe një infermiere e Qendrës së Zhvillimit Social në këtë qytet, të dyshuara për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, pasi ndaj pacientëve me sëmundje të shëndetit mendor në këtë qendër është ushtruar dhunë sistematike, ndërsa 3 femra kanë qenë shtatzëna dhe kanë abortuar në mënyrë të paligjshme.
Prokuroria e Shkodrës ka evidentuar si përgjegjës për trajtimin jo në mënyrën e duhur shtetaset Juliana Cepi, drejtoreshë e Qendrës, si edhe Aida Ymeraj, infermiere në këtë qendër.
Në bazë të urdhërit të Prokurorisë, këto dy shtetase janë ndaluar nga ana e policisë mesditën e së mërkurës.
Ndërkohë, po vijohet hetimi për të identifikuar plotësisht rastet e dhunës, si edhe përgjegjësitë e punonjësve të qendrës, neglizhenca e të cilëve ka sjellë si pasojë shtatëzaninë e femrave me probleme mendore, si edhe ndërhyrjen e paligjshme për abortin e tyre.
TCH/d.i.