Anëtarët e Kabinetit qeveritar të Kosovës dhe atij të Shqipërisë do të ulen të premten përreth mozaikut të hollit të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, për të vazhduar traditën e përvitshme të takimeve të përbashkëta, që rëndom përmbyllen me një numër të madh marrëveshjesh, shkruan Koha Ditore.
Paralelisht kësaj vazhdon edhe tradita e moszbatimit të atyre dokumenteve mbi të cilat vënë firmat zyrtarët e të dyja shteteve.Gjatë dy vjetëve janë organizuar dy mbledhje të përbashkëta të qeverive dhe në to kanë firmosur 24 marrëveshje.
Praktika kishte nisur në janar të 2014-s në Prizren. Në mars të vitit pasues ishte përsëritur në Tiranë. E në fundjavë mbledhja e përbashkët do të organizohet në Prishtinë dhe në përmbyllje të saj është planifikuar të deklarohet dakordimi për një numër çështjesh, me fokus në katër fusha.
Sokol Havolli, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ka treguar fushat në të cilat synohet të mbërrihen marrëveshje të reja në takimin e së premtes. Po kështu ka treguar se në këtë mbledhje ministrat e resorëve do të raportojnë edhe për shkallën e implementimit të marrëveshjeve. (b.an)