Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me një dokument të publikuar nga opinion.al ku tregohet se kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi ka qenë i dënuar në Itali për “violenza karnale”. Kreu i grupit parlamentar Edi Paloka, në një reagim në emër të PD, shkruan se skandali i Roshit u thellua më tej pasi ai është dënuar sipas këtij dokumenti për përdhunim. Paloka shton se pavaërisht kësaj, Rama ka urdhëruar që socialistët të dalin në tubim për të mbështetur një përdhunues.
“Edhe më tronditëse bëhet e vërteta rreth të shkuarës kriminale të Roshit të Ramës, modelit të Edi Ramës për bashkitë. Dëshmia e penalitetit që është publikuar sot, e ardhur nga Ministria e Drejtësisë Italiane, thotë se Elvis Roshi është dënuar për “violenza karnale”, që do të thotë është dënuar për përdhunim.
Pra Roshi që e fsheh, dhe shefi i rilindjes që i del në mbrojtje, mbulojnë një krim të tmerrshëm të kryer nga i zgjedhuri i Ramës. Dhe Edi Rama e njeh italishten. E megjithëse e di, që ka vënë pos të tjerash edhe një përdhunues si kryetar bashkie në Kavajë, u kërkon sot socialistëve të dalin në një demostratë në qytet për ta mbrojtur atë. Rama u thotë socialistëve të dalin të mbrojnë përdhunuesin. Demonstratën do ta udhëheqë Gentjan Daja, i dënuar për trafik droge, ushtar i Roshit, të cilin Rama e ka caktuar në krye të PS-së së Kavajës. I poshtëroi duke ua vënë Roshin kryetar bashkie, i poshtëroi duke u vënë kryetar partie të dënuarin për drogë, po i poshtëron edhe më shumë sot duke i kërkuar të mblidhen në shesh në mbrojtje të përdhunuesit.
Ky është Edi Rama. Ky është modeli i tij. Këto janë standardet e tij”- deklaron Paloka.
Opinion.al ka siguruar dëshminë e penalitetit lëshuar nga Ministria e Drejtësisë italiane.Në dokument thuhet: Gjykata e Apelit për minorenët më datë 28 shkurt 1995 lë në fuqi vendimin e dhënë më 13 nëntor 1992 nga trupi gjykues i Shkallës së Parë: Dhunë njerëzore, 2. Rrahje, 3. Për përsërirje të vazhdueshme të veprave penale; Jepet dënimi me 1 vit e 4 muaj.
Ky dokument fakton se Elvis Roshi nuk ka qenë vertet i surprizuar siç deklaron se ka marrë vesh rastësisht se ka qenë i dënuar në Itali. Në dokumentin bazë për këdo që punon në shtet “dëshmia e penalitetit” thuhet se Elvis Roshi me emrin e vërtetë Ervin ka qenë i dënuar me 1.4 vite burg në Itali.
Në këtë dokument, ai rezulton me emrin Elvis Roshi.