Prokuroria për Krime të Rënda merr në pyetje ish-kandidaten për Rektore të Universitetit të Tiranës Klodeta Dibra dhe zv/kryeregjistruesin e Shqipërisë, Besnik Hysenbelliu.
ABC News ka mësuar se pyetja e tyre, është bërë me cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjet për të cilat po hetohet Emiljano Shullazit dhe banda e tij. Zyrtarisht, prokuroria pranon marrjen në pyetje të znj.Dibra dhe z.Hysenbelliu por tregohet mjaft e rezervuar për të dhënë detaje në lidhje me deklarimet e tyre. Për të shmangur rrjedhjen e informacionit, mësohet se pyetjen e tyre e kanë bërë vet prokurorët e çështjes, Elizabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi.
Nga ana tjetër, burimet konfidenciale pranë Prokurorisë së Përgjithshme i thanë ABC News se Klodeta Dibra ka mohuar përfshirjen e saj në kanosjen ndaj profesorit Mynyr Koni. Para hetuesve, burimet thonë se znj.Dibra ka mohuar njohjen personale me Emiljano Shullazin dhe personave që rrinë pranë tij. Ajo ka këmbëngulur se edhe familjarët e saj, nuk kanë njohje apo nuk kanë pas ndonjëherë kontakt me Emiljano Shullazin si para dhe pas ngjarjes ku pretendohet se është kanosur profesor Koni. Ajo është treguar e gatshme para hetuesve për t’ju nënshtruar një hetimi, që të zbardhet mos përfshirja e saj në këtë ngjarje, që znj.Dibra, ka pretenduar se e ka dëgjuar në media. Ndërsa në lidhje me marrëdhëniet me profesor Konin, znj.Dibra ka sqaruar se janë normale.
Për llogari të kësaj dosje, prokurorët kanë pyetur edhe nr.2 të Hipotekave të Shqipërisë, z.Besnik Hysenbelliu, me cilësinë e personit që ka dijeni për disa veprime hipotekore, që vartësit e tij kanë kryer për regjistrimin e disa pronave për të cilët po heton prokuroria.
Gjithashtu, prokuroria mësohet se ka pyetur edhe personat me të cilët ka qenë i shoqëruar ish-rektorit Dhori Kule në momentin, që ky i fundit pretendon se është kanosur nga persona të paidentifikuar. Edhe këta dëshmitar, kanë mohuar se kanë parë Shullazin në takim me profesor Kulen pranë një Hoteli të njohur këtu në kryeqytet.
Sipas prokurorisë, grupi hetimor po vazhdon marrjen në pyetje edhe të personave të tjerë për ngjarjet, ku dyshohet se është përfshirë Shullazi dhe pjesëtarët e bandës së tij./a.m.