Dy të rinj, 23 dhe 25 vjeç, u arrestuan nga Policia e Tiranës pasi tentuan të përdhunojnë një vajzë 21-vjeçare ndërsa ajo ishte duke u kthyer në mbrëmje për në shtëpi.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Paskuqanit në periferi të kryeqytetit. L.B 25 vjeç dhe D.B 23, të dy nga Mamurrasi, akuzohen për veprat penale të përndjekjes, veprime të turpshme dhe ngacmimit seksual. Ka qenë vajza ajo që ka denoncuar tek uniformat blu abuzimin ndaj saj.
Sipas dëshmisë, 21-vjeçarja ishte shumë pranë shtëpisë së saj teksa kthehej nga kursi i anglishtes. Ndërsa ka qenë në një rrugicë pa ndriçim, e kanë tërhequr me forcë për krahu dhe menjëherë i kanë mbyllur gojën me duar duke mos e lejuar që të kërkojë ndihmë.
“Pastaj më grisën me forcë bluzën që kishte veshur. U përlesha me ta dhe ndaj më dëmtuan, duke më lënë shenja dhune në trup”, mësohet të jetë shprehur vajza në polici.
Fatmirësisht në rrugicë në këtë moment kanë kaluar disa njerëz të rastësishëm e me të dëgjuar hapat e tyre autorët janë larguar. Vajza menjëherë ka telefonuar policinë, duke bërë të mundur që pas disa kërkimesh autorët të bien në pranga pas përshkrimit të bërë nga vajza.
Express/d.i.