Fillimi i kësaj jave sjell një fenomen të rrallë qiellor, planetin e kuq Marsin më afër se asnjëherë me Tokën.
Kjo është dukuria e cila po ndodh për herë të parë prej vitit 2005 ku Marsi do të duket më i madh dhe i shndritshëm deri në 3 qershor.
Në fakt prej 18 majit, studiuesit e yjeve kishin vënë re me teleskopët e tyre se planeti i kuq ishte më tepër i dukshëm, derisa afërsia e tij me planetin tonë e cila sa vinte dhe zvogëlohej, bëri që një sy i stërvitur mirë ta shihte atë me sy të lirë.
Orbita e Tokës dhe Marsit janë eliptike dhe jo rrethore, çka do të thotë se distanca mes tyre ndryshon herë pas here. Çdo 26 muaj të dy planetet do të kenë një qasje më të afërt me njëri-tjetrin.
Distanca më afërt mes tyre është shënuar 54.6 milionë kilometra, një prej fenomeneve ekstremisht të rralla, që ka ndodhur në vitin 2003. Ajo njëkohësisht ka thyer rekordin e 60 mijë viteve.Një afërsi e tillë sipas parashikimeve të NASA-s do të mund të ndodh në vitin 2287.
Megjithatë edhe dukuria e kësaj jave, nuk është e pakët pasi Marsi do të jete i dukshëm gjatë mbrëmjes. Ne mbrëmje, sot, Marsi do të jetë 75.3 milionë kilometra larg nga toka, afërsia më e madhe në 11 vitet e fundit. Më pas pamja me planetin e kuq do të fillojë të venitet, për t’u rikthyer në 2018-ën ku Marsi do të jetë 57 milion kilometra larg nesh, çka do të thotë edhe më i dukshëm. (b.an)