Prokuroria dhe Gjykata kanë ardhur në përfundim se dy dëshmitarë kundër Azem Sylës dhe grupit të tij janë të rrezikuar më jetë. Për këtë arsye ka caktuar disa seanca për të marrë dëshmitë e tyre, ende pa u ngritur aktakuza. Njëri prej dëshmitarëve tashmë i është nënshtruar programit të mbrojtjes së dëshmitarëve. Ai pritet të largohet nga Kosova përfundimisht.
Njëzetenjë seanca të mbyllura hetimore janë caktuar nga Gjykata për të intervistuar dy dëshmitarët kryesorë kundër Azem Sylës dhe 50 të dyshuarve të tjerë.
Seanca e parë në kuadër të hetuesisë së veçantë pritet të mbahet nesër në Pallatin e Drejtësisë. Gjyqtarja e procedurës paraprake, prokurori, mbrojtja dhe të pandehurit do të ballafaqohen me dëshmitarët.
Në vendimin për miratimin e kërkesës së prokurorit për hetuesi të veçantë që ka siguruar Insajderi, përmenden arsyet se pse duhet të merren dëshmitë e këtyre dëshmitarëve tash, duke mos e pritur nisjen e procesit gjyqësor.
Gjyqtarja thotë se rreziku për këta dëshmitarë është në nivelin më të lartë. Pos kësaj, njëri prej këtyre dy dëshmitarëve pritet të largohet nga Kosova për shkak se siç thuhet është futur në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, citon Koha. (b.an)