Ish-partnerja e Johnny Deep dhe nënë e dy fëmijëve ka thyar akullin pas zhurmës së krijuar ditët e fundit lidhur me pretendimet e Amber Heard për dhunë të ushtruar ndaj saj nga aktori.
Vanessa Paradis i hedh poshtë pretendimet e partneres së re të ish-burrit, duke theksuar se Johnny është një burrë i dashur që nuk ka abuzuar kurrë fizikisht me femrat.
Në një letër që ka publikuar TMZ, Paradis, e cila ka qenë partnerja e Johnny Deep përgjatë viteve 1998 – 2012, e cilëson aktorin si “një person i dashur, i kujdesshëm dhe i ndjeshëm”.
Paradis dhe Deep kanë dy fëmijë: Lily-Rose, 17 vjeçe, dhe Jack, 14 vjeç. “Në të gjithë jetën që kemi bërë bashkë, ai nuk ka abuzuar kurrë. Mënyra se si është përshkruar nuk ka asnjë lidhje me burrin, me të cilin kam jetuar 14 vite të mrekullueshme”.
Deklarata e Paradis është pothuajse e njëjtë me atë të ish-gruas tjetër të Deep, Lori Anne Allison, e cila është shprehur se ai nuk ka qenë kurrë i dhunshëm, madje as nuk ka ngritur ndonjëherë tonin e zërit.
Partnerja aktuale e Deep, Amber Heard, i tronditi fansat e aktorit disa ditë më parë, kur deklaroi se ai e kishte dhunuar dhe i kishte hedhur “i-Phone”-n në fytyrë, duke i nxirë syrin. Amber ka marrë nga gjykata një urdhër mbrojtjeje, ndërsa seanca që pritet të zbardhë më shumë rreth natyrës së marrëdhënies së tyre pritet të zhvillohet në qershor.