Në ndërtesën e Qeverisë është mbajtur një konferencë për gazetarë ku janë prezantuar projekte në fushën e investimeve nga investitorë gjermanë dhe hapjen e vendeve të reja të punës në Kosovë. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi ka thënë se kjo javë do të quhet java gjermane dhe ka të bëjë kryesisht me investime gjermano-kosovare në Kosovë, njofton Klan Kosova.
Ai ka treguar edhe për disa plane që pritet të realizohen në të ardhmen e afërt.
“Javën tjetër do të bëhet përurimi i fabrikës për panele solare derisa muajin tjetër do të përurohet një fabrikë për përpunimin e pemëve ku pritet të punësohen 500-800 gra ku prioritet kanë gratë me kushte të rënda ekonomike dhe sociale”.
Ambasadorja gjermane në Kosovë, Angelika Viets ka thënë se është e kënaqur me zhvillimet e fundit në Kosovë duke shtuar se çështja më e rëndësishme për Kosovën është ekonomia.
“Duhet te punojmë më shumë për angazhimin e diasporës në Kosovë, jam optimiste për kosovarët, ekonominë dhe qasjen në tregje të huaja” ka thënë ajo në këtë konferencë. (b.an)