Gjyqtarja e Durrësit Shpëtime Pitaku rezulton një ndër gjyqtaret më të pasura të sistemit të drejtësisë.
Në deklaratën e saj të pasurisë, vetëm për vitin 2015 që ka dorëzuar pranë ILDKP, gjyqtarja thotë se ka 5 lokale, të cilët i kanë sjellë të ardhura të konsiderueshme. Nga qiratë e pesë lokaleve ka marrë shumat 9 600 euro, 360 000 lekë, 1 200 euro, 1 200 euro dhe 1 800 euro. Gjyqtarja deklaron edhe një sipërfaqe trualli 650 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 442 m2, në bashkëpronësi.
Nga veprimtaria si gjyqtare, zonja deklaron 1 426 425 lekë, të ardhura nga puna e bashkëshortit si mjek stomatolog privat 1 609 327 lekë, gjendje nga paga, 173 802 lekë, qira të klinikës dentare 120 000 lekë etj.
Pitaku pohon se ka marrë edhe një kredi në shumën 60 mijë euro, për blerjen e një shtëpie me sipërfaqe 135 m2. Gjithashtu ajo vijon të shlyejë një tjetër kredi për blerjen e një makine Audi A3.
Gjyqtarja deklaron pagesat në shumat 1 200 euro dhe 1 100 euro, pagesa të shkollës së djalit Aldo Pitaku në Universitet për vitin e katërt. Vajza e saj ka blerë dy makina me shumat 100 000 lekë dhe 400 euro. Gjyqtarja Pitaku ka qenë subjekt hetimi nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. ILDKP ka dyshuar se zonja në fjalë ka pastruar rreth 1 milion USD.
Shqiptarja.com/d.i.