Nëse po pyesni veten se cili është profesioni më i paguar në Shqipëri, atëherë ne e kemi një përgjigje. Janë pikërisht inxhinierët e naftës që paguhen më mirë në vend. Pagat e tyre e kalojnë shifrën 30 mijë euro në muaj dhe arrijnë shifrën 70 mijë euro/muaj.
Megjithatë, mos u inkurajoni pasi janë të paktë ata që marrin këto të ardhura marramendëse për nivelin shqiptar. Më saktë, janë të huajt ata që paguhen me këto shuma, ndërsa personeli shqiptar ka paga të niveleve normale.
Pas kompanive të naftës, janë bankat ato që mbizotërojnë në listën e sipërmarrjeve që i paguajnë më shumë punonjësit e tyre, me pagës mesatare mbi 1,000 euro në muaj. Por, përsëri ka diferenca të mëdha mes pagash, nga 300 euro në mbi 20 mijë euro në muaj, me pagat e larta që kryesisht i marrin CEO-t e huaj, raporton Monitor.
Gjithashtu, hapja e spitaleve private ka shtuar të ardhurat për mjekët, duke kapur shifrën 1,000 euro/muaj. Ndërsa në call center paga mesatare është relativisht e lartë, pasi arrin deri në 70 mijë lekë në muaj, në industritë e këpucëve e tekstileve paga mesatare është pranë asaj minimales, rreth 22 mijë lekë në muaj.