Këshilli i Ministrave ka miratuar listën e re të barnave me rimbursim, e cila për vitin 2016 përmban 1118 alternativa tregtare, nga të cilat 539 barna janë alternativa të para. Në krahasim me listën e vitit të kaluar janë shtuar 49 të tilla, pasi në vitin 2015 ishin të përfshira 490 medikamente.
Gjithashtu, kjo listë përmban 308 principe aktive nga 280 që përmbante lista e vitit të shkuar. Sipas Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, këto barna përmirësojnë dhe zgjerojnë trajtimin e pacientëve në shërbime si: Onkologjik, Gastro-hepatologji, Pneumologji, Reumatologji, Infektiv, në terapinë kardiake, Parkinson, Diabetit, Psoriazës, Dislipidemisë si dhe sëmundjeve të gjakut etj.
Kategoritë që do të vazhdojnë si më parë të përfitojnë barna me rimbursim në masën 50-100% do të jenë grupe të tilla shoqërore si: Pensionistë, invalidë të plotë, fëmijë 0-12 muaj, të sëmurët me kancer, tuberkuloz, të verbrit, jetimët, etj. Ndërkaq, përveç shtimit të numrit, çmimet e miratuara janë me një ulje prej rreth 6.9 për qind në krahasim me çmimet e aplikuara në vitin 2015. Për këtë vit është rritur edhe buxheti i akorduar për shpenzimet e rimbursimit të barnave, i cili kap vlerën e 9 miliardë lekëve, ndërkohë që “Gazeta Shqiptare” publikon të plotë listën me ilaçet e reja dhe sëmundjet, për të cilat ato përdoren si dhe masën e rimbursimit. Lista e re do të hyjë në fuqi në datën 1 qershor./a.m.