45 – vjeçari shqiptar Petrit Nikolli u qëllua për vdekje me një plumb në kokë, teksa po ecte në një shëtitore të qytetit të Riminit, në Itali. Një makinë iu afrua dhe një nga tre personat që gjendeshin në të doli dhe e goditi nga pas. Ngjarja ndodhi të mërkurën rreth orës 23:00, përpara një restoranti në Komunën Rivabella.
Pak orë pas kryerjes së atentatit, autorët e krimit u arrestuan në Milano. Autori është një 55 – vjeçar Lek Preçi dhe dy djemtë e tij, Altin Preçi 26 dhe Edmond Preçi 25 – vjeç, nga Durrësi. Ata rrëfyen përpara Prokurorit në Milano se kishin marrë pjesë në krim, ndërsa ai që kishte shkrepur armën ishte babai 55 – vjeçar. Ata thanë se vrasjen e kryen për çështje nderi.
Mbesa e Nikollit vuante një martesë problematike me një nga djemtë e vrasësit. Viktima ishte përpjekur ta zgjidhte problemin duke udhëtuar vetë në Milano dhe kishte marrë me vetë mbesën në Rimini. Ky veprim është cilësuar si një cënim i nderit nga atentatorët. Pikërisht këtu dyshohet se ka nisur konflikti. Petrit Nikolli jetonte prej vitesh në Itali ku punonte si hidrauik. Ai ishte i martuar, kishte 3 fëmijë, dhe ishte në pritje të një të katërti.