Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias do të vijë sërish në Shqipëri në datat 6-7 qershor, në takimin e 8 brenda dy vitesh me homologun e tij shqiptar. Por, ndërsa takimi nuk përbën më lajm, lajm është se fakti që mes dy vendeve tashmë ka një urë komunikimi të ndërsjelltë dhe reciproke.
Megjithatë mbeten çështje delikate të pazgjidhura. Ligji i luftës dhe çështjet e lidhura me të, si pronat e shqiptarëve dhe çështja çame. Për herë të parë në një intervistë për Top Channel, Ditmir Bushati e trajton si pjesë të të njëjtës dosje edhe çështjen e varrezave të të rënëve grekë.
“Nuk ka kushte nga Shqipëria dhe nga Greqia, ka një dialog të vërtetë, propozime, hulumtime për mënyrën më të mirë sesi mund të adresohen këto lloj problematikash. Por natyrisht, nëse mund të flasim për një vijë të kuqe, vija e kuqe qëndron te koncepti që ne kemi investuar në këtë proces. Që do të thotë ndërsjellësi, që do të thotë dialog mes dy fqinjësh të barabartë, të përgjegjshëm, anëtarë në NATO, që shikojnë nga e ardhmja e përbashkët europiane. Dy fqinjë që respektojnë njëri-tjetrin, respektojnë traditat kushtetuese dhe, natyrisht, respektojnë modelet që e kanë frymëzimin tek e drejta ndërkombëtare”, tha ministri Bushati.
Por pavarësisht, ndarjes së çështjeve të pazgjidhura, është një çështje e vetme ajo që mban pezull një sërë çështjesh të tjera.
“Pavarësisht se ne i ndajmë në 3 kapituj, janë çështje që kanë të bëjnë me njëra-tjetrën. Nëse flasin për shfuqizimin e ligjit të luftës nga ana e Greqisë, ka lidhje me rishikimin e teksteve të historisë, ka lidhje me çështjen e pronave të shtetasve shqiptarë dhe shtetit shqiptar në Greqi. Ka lidhje gjithashtu me nderimin për të rënët grekë në territorin shqiptar, sepse duhet që të përfundojë lufta, në mënyrë që të fillojnë të gjitha proceset e tjera. Shfuqizimi ka vlera të drejtpërdrejta politike dhe ligjore, apo adresimi i çështjes çame, si një çështje e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, në përputhje me standardet ndërkombëtare, do t’i shërbente shumë klimës së besimit ndërmjet dy vendeve tona”, deklaroi më tej ministri Bushati.