Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri, gjatë fjalës së mbajtur në seancën parlamentare deklaroi se përfaqësuesit e opozitës po nxisin njerëzit të mos respektojnë shtetin ligjor.
“Nga skema e tritolit tani po ju thoni njerëzve thyeni matësa dhe mos paguani energjinë. Unë ju drejtohej qytetarëve se vërtet do heqim faturat aforfe por kush guxon dhe prek matësin e energjisë elektrike që po investohet me djersën dhe kontributin e qytetarëve do të marrë ndëshkimin maksimal. Nuk do ti shpëtojnë pagesës së energjisë elektrike dhe nuk kanë asnjë shans. Do të marrim masat dhe çdo njeri do penalizohet nëse vepron në kundërshtim me ligjin. Mos u bëni më thirrje njerëzve të mos e paguajnë energjinë, mos u bëni më thirrje njerëzve të thyejnë sahatet. Nuk bëhet politikë elektorale me energjinë elektrike. Energjia elektrike është një pasuri e përbashkët, prandaj qytetarët shqiptarë e konsiderojnë si një nga reformat më të rëndësishme e që po u kthehet atyre përdite në investime”, u shpreh z.Gjiknuri.
Ministri deklaroi se do të mbahet premtimi i dhënë për pajisjen e konsumatorëve me matësa dhe heqjen e faturava aforfe.
“Kjo po bëhet realitet për shkak të pagesave të shtuara, për shkak të gjendjes financiare të Operatorit të Shpërndarjes. Të gjitha këto reforma kanë konsoliduar mbi të gjitha Buxhetin e Shtetit sepse tanimë paratë nuk po shkojnë më për të mbuluar gropat dhe keqmenaxhimin por po shkojnë në drejtim të investimeve në sektorin elektroenergjitik”, theksoi Gjiknuri.
Duke krijuar kështu, tha ai, premisat për qëndrueshmëri në çmimet e energjisë elektrike. “Nëse do të vazhdonim me kaosin që kishin nisur, Shqipëria do të kërkonte të rriste akoma më shumë çmimet e energjisë. Përkundrazi, këto çka ne kemi bërë, do të na krijojnë stabilitet dhe në të ardhmen, pasi të krijohen të gjitha potencialet financiare që mund të shndërrojë reforma në energji, do të ketë mundësi mbase edhe për ndonjë ulje të çmimit të energjisë. Kjo është përspektiva e të gjithë këtyre reformave”, u shpreh Gjiknuri.