Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ervin Mete, në një intervistë për “Top Channel”, detajon disa nga avantazhet e zonës së lirë ekonomike të Spitallës.
Ai shprehet se, “jo vetëm Spitalla, por edhe Kopliku, Vlora dhe disa zona të tjera po studiohen nga për tu shpallur si zona të zhvillimit ekonomik, në bazë të ligjit të ri që është miratuar vitin e kaluar në parlament”. “E para do të jetë Spitalla, që pritet të rishpallet brenda muajit qershor, tashmë e riformatuar në një sipërfaqe më të vogël prej rreth 100 hektarësh, çka do ta bënte më të shpejtë realizimin e këtij investimi dhe vënien në operim të zonës”, shprehet Mete.
Sipas zv.ministrit, “kuadri rregullator për shpalljen e kësaj zone është punuar ngushtësisht me Qendrën për Zhvillim të Universitetit të Harvardit dhe përfshin incentiva tejet të targetuara, që jo vetëm janë mirëpritur por edhe kanë gjetur interesin e investitorëve, siç na janë paraqitur nga ambasadat e një sërë vendeve”.
“Me këtë rast ne do të përfshijmë edhe në marketimin e shpalljes së tenderit dhe të termave të tij përsëri skuadrën e Harvardit, pra do të bashkëpunojmë me ta për të vënë në dijeni dhe për të ftuar ndër operatorët më të suksesshëm në këtë fushë. Termat nuk kanë ndryshuar, por është riformatuar sipërfaqja dhe theksi gjithmonë vihet tek ato kompani që do të shërbejnë si zhvillues dhe do të arrijnë të thithin industri të reja inovative, teknologji të pastra, të cilat të plotësojnë bazën e bizneseve që ne kemi, jo duke qenë në konkurrencë me to, por duke shtuar gamën e prodhimeve apo të shërbimeve që ofrohen në Shqipëri dhe duke dhënë mundësinë edhe për eksporte të shtuara”, shprehet Mete.
ZV. ministri Mete veçon “pozicionin gjeografik të Shqipërisë, pozicionin e Spitallës në afërsi të portit, kushtet që ofrohen, incentivat fiskale, por edhe krahun e punës, si faktorët kryesorë për të nxitur këtë zonë ekonomike”./a.m.