Trajnerët e shkollës së Barcelonës, “FCBEscola”, kanë mbetur të mahnitur me talentin e fëmijëve kosovarë, referuar Zeri. Gjatë qëndrimit pesëditor në Kosovë, kampit “FCBEscola Soccer Camp Kosova 2016” i janë bashkuar 230 fëmijë, të cilët i mësuan metodat më të përparuara të futbollit.
Dy prej tyre do ta kenë rastin të shkojnë vitin tjetër për të ushtruar një javë në Barcelonë. Organizatorët kanë mbetur të kënaqur, duke premtuar se ky kamp do të bëhet tradicional e trajnerët spanjollë siguruan se Kosova ka më shumë talente sesa shtetet më të zhvilluara
230 fëmijë kosovarë e patën rastin jetësor të ushtronin për pesë ditë në kampin “FCBEscola Soccer Camp Kosova 2016”, pjesë e njërës prej shkollave më të mira të botës, atë të Barcelonës, të quajtur “FCBEscola”.
Fëmijëve të grupmoshave U8, U10, U12, U14 e U16 u është dhënë mundësia t’i aplikojnë metodat e klubit të suksesshëm botëror, duke punuar nën urdhrat e trajnerëve të Akademisë së Barcelonës, duke i mësuar sekretet nga rutinat stërvitore të praktikuara nga yjet si: Messi, Neymar, Iniesta, Suarez etj, shkruan Zëri.
Ushtrimet i udhëhoqi trajneri, Kiko Melendez Pereto, i cili u nda i kënaqur me atë çka pa në pesë ditët e kampit, i cili u mbyll të mërkurën me ndarjen e certifikatave për të gjithë fëmijët pjesëmarrës, të cilët kishin edhe mbështetjen e prindërve të tyre, që i ndiqnin me vëmendje nga tribunat. (b.an)