Një shkrim në gazetën “The New York Times” për radikalizmin islamik në Kosovë ka zgjuar një interes të veçantë edhe në Bruksel dhe ka rritur vigjilencën edhe të disa diplomatëve, të cilët janë të kujdesshëm për raportet e Kosovës me BE-në, përfshirë edhe procesin e liberalizimit të vizave, shkruan sot Koha Ditore.
Ky shkrim është ribotuar në shumë portale të Evropës, është komentuar dhe përfolur edhe në qarqet diplomatike. Përmbajtja e tekstit kryesisht është quajtur “reale”, por në BE pohojnë se për të njëjtat gjëra tash e sa kohë kanë tërhequr vërejtjen edhe vetë institucionet e saj.
“E dimë se një shkrim në një gazetë aq prestigjioze mund të ketë ndikim më të madh sesa raportet tona. Por të njëjtat gjëra i kanë pohuar, pak a shumë, edhe Komisioni Evropian në raportet e veta, edhe agjencitë tona që merren me aktivitete kundër terrorizmit, edhe shërbimet e vendeve tona anëtare”, thotë për “Kohën Ditore” një diplomat evropian, i cili, përkundër shqetësimeve, shpreson se kjo nuk do të ketë ndikim negativ në liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, proces që ka hyrë tash në fazën përfundimtare. (b.an)