Partia Demokratike dhe portalet pranë saj kanë rikthyer sërish në skenë Nanon, me një koment që sipas tyre, ai ka bërë në shkrimin e fundit të Artur Zhejit, “Përse kryeministri adhuron të Fortët dhe Berishën”. Sipas tyre, në këtë koment, Nano gjen rast të pohojë dy gjëra dhe t’i dërgojë dy mesazhe direkte Edi Ramës.
E para, duke u nisur nga shkrimi i Zhejit që thotë, se më së shumti atë (Ramën), duhet ta kenë më shumë frikë miqtë dhe ish miqtë, se sa armiqtë, ai, Fatos Nano, komenton se si ish mik, nuk është nga ata, që e ka frikë Ramën! Dhe e dyta, Nano, nënvizon se nuk e mendonte kurrë, që ai, Rama, të ish kaq i zoti, për tu vetëshkatrruar.
“Shkëlqyer Artur! E ke tejkaluar edhe si piktor, ai nuk do të ishte i zoti, të bënte një autoportret më të mirë, se ky që ke vizatuar ti!
Me përjashtim, të asaj që lidhet me ish-miqtë: Unë, (si ish mik) nuk e kam frikë (Ramën)!
Ndoshta ai, është i paaftë të bëjë një autoportet, por është shumë i zoti, për tu vetëshkatrruar! Dhe kjo është arësyeja sepse unë po e le të qetë… për tu vetshkatrruar nga vetvetja!
Sepse kësaj, ai ja del mrekullisht!
Askush nuk do të mund të mendonte, që ai, do ta bënte (vetëshkatrrimin e tij), kaq shpejt!”, shkruajnë këto portale, se ka shkruajtur Nano në FB.
Në fakt, Nano nuk ka asnjë faqe zyrtare të tijën në Facebook.
Një faqe e Nanos, që mendohet se përdoret pikërisht nga ai, postimin e fundit e ka bërë ditën e Pashkëve.
“Krishti u ngjall,” shkruhet aty, ndërsa shumë komentues bëjnë ironi, teksa i shkruajnë se “Krishti u ngjall, po ju kur do ngjalleni zoti Nano?”
Duke parë se opozita është inekzistente dhe nuk ka asnjë shans të fitojë përballë kësaj mazhorance, siç dhe e tregojnë sondazhet, mediat pranë saj prej kohësh janë duke bërë diversion të ndryshme, për të dobësuar dhe përçarë PS.
ma.me