Një nga vajzat e dhunuara në jetimoren e Shkodrës i ka dërguar një letër Kryeministrit Edi Rama. 12 vjeçarja rrëfen dhunën sistematike që është ushtruar ndaj saj brenda jetimores.Ajo sqaron se fëmijët më të mëdhenj i dhunonin vazhdimisht, motrat e saj dhe i çonin në një dhomë ku i rrihnin me shkopin që ishte në raft.
“I dashur Kryeministër, unë jam K.B 12 vjeçe, T.B është 11 vjeç dhe L.B është 7të. Unë kam 6 vëllezër dhe 6 motra. Unë kam vuajtur shumë nga një vajzë e rritur dhe nga disa djem të mëdhenj. Motrat e mia i çonte në një dhomë kjo vajza dhe i rrihte shumë. Unë po e shkruaj këtë letër me sytë me lot. Ajo merrte shkopin që ishte në raft dhe na rrihte. Shkopi ishte prej hekuri dhe ajo na rrihte pa mëshirë”, shkruan vajza.
Ajo është e bija e Natasha Bajramit, gruaja e cila një ditë pasi u publikua në media rasti, denoncoi dhunën në këtë institucion dhe kërkoi që të bëhej ekspertimi i gjendjes së vajzave të saj që rrinin në Shtëpinë e Fëmijës.
E mitura shkruan më tej se ish drejtoresha Albana Llazani ishte në dijeni të këtyre gjërave, por nuk reagonte.
LETRA E PLOTË
“I dashur Kryeministër, unë quhem K.B Unë jam 12 vjeçe, T. është 11 vjeç dhe Laura është 7-të. Unë kam 6 vëllezër dhe 6 motra. Unë kam vuajtur shumë nga një vajzë e rritur dhe nga disa djem të mëdhenj.
Motrat e mia i çonte në një dhomë kjo vajza dhe i rrihte shumë. Unë po e shkruaj këtë letër me sytë me lot. Shela më rrihte mua dhe vajzat e tjera.
Ajo merrte shkopin që ishte në raft dhe na rrihte. Shkopi ishte prej hekuri dhe ajo na rrihte pa mëshirë. Shela bënte fjalë të pista me të tjerët më të mëdhenj dhe ajo më detyronte të bëja edhe unë fjalë të pista por unë nuk pranoja dhe haja dajakun e Shelës.
Kur mami na merrte në shtëpi ne i tregonim mamit dhe mami shkonte tek zyshë Albana por ajo i thoshte se unë gënjeja dhe nuk merrte fare masa. Shela më merrte mua dhe më çonte në banjo për të bërë fjalë të pista dhe unë nuk pranoja dhe e kisha shumë frikë, prandaj nuk tregoja se kisha shumë frikë.
Mami na ka sjellë nga e keqja sepse s’ka shtëpi dhe është shumë e sëmurë por mami na thoshte që të duronim deri sa të merrte shtëpinë por unë nuk duroj dot më, ju lutem shumë të na ndihmoni mamin sepse e kam shumë të sëmurë sepse nuk ka më fuqi për të dalë dhe për të lypur me vëllanë e vogël.
Kush është biznesmen të vendosë dorën në zemër, ju lutem nëse bëni ndonjë strehim për mamin tim, ju lutem me gjithë shpirt dhe dhimbjen që na kanë shkaktuar Shela bashkë me çunat e mëdhenj.
Nëse ju nuk e ndihmoni dot mamin tim unë do të bëj ndonjë skandal të vras veten time sepse nuk duroj dot vuajtjet që kam ngrënë nga Shela. Unë me sytë duke qarë e kam shkruar këtë letër, ju lutem ndihmojeni mamin tim, ju lutem.
Me respekt, me dhimbje dhe shumë dashuri, Kamela”.