Bashkia e Tiranës ka marrë një seri vendimesh të cilat synojnë të zbusin peshën ekonomike për një sërë kategorish sociale në vend. Në mbledhjen e këshillit bashkiak është vendosur që 92 familjeve t’u subvencionohet qiraja, ndërsa një sërë familjesh të tjera t’u jepet dëmshpërblimi për përmbyetjet. Por Bashkia e Tiranës nuk është ndalur vetëm me kaq. Ajo ka bërë një rivlerësim të taksave duke favorizuar moshën e tretë, familjet për arsimimin e fëmijëve, si dhe një rishikim të taksave për fjetjen në hotele. Sa i përket bonusit të strehimit masa e rimbursimit do të jetë nga 5 deri në 22.500 lekë të reja. Nga ky bonus do të përfitojnë familjet që nuk kanë të ardhura për të paguar qiranë.
Një problem tjetër që ka zgjidhur Bashkia është edhe çështja e dëmshpërblimeve për familjet e përmbytura në Tiranë. Do të jenë 16 familje të cilat do të dëmshpërblehen ndërsa janë dhe 14 familje, të cilat do të mbështeten financiarisht për shkak të zjarreve në banesat e tyre. Masa e dëmshpërblimit për përmbytjet varion nga 30- 564 mijë lek të reja, ndërsa për familjet e prekura nga zjarri nga 50- 1.6 milion lek të reja.
Rishikim të taksave ka pasur edhe për infrastrukturën arsimore, taksat për fëmijët, si dhe taksa e fjetjes në hotele. Këshilli Bashkiak ka vendosur edhe për mënyrën sesi do të paguhet taksa për legalizimin e banesave. Kategoritë e përjashtuara nga taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore do të jenë pensionistët, veteranët, invalidët e punës dhe të luftës, përfituesit e ndihmës ekonomike, të verbërit. Për të përfituar këtë ata duhet të paraqesin pranë njësive administrative të bashkisë dokumentacionin që provon se janë pjesë e kategorive të sipërpërmendura.
Në rastin e ndërtimeve për qëllime banimi apo njësi shërbimi nga shoqëritë e ndërtimit, taksa e ndikimit në infrastrukturë është 8% e çmimit të shitjes për metër katror të sipërfaqeve të shfrytëzueshme. Ndërsa në rastin e ndërtimeve të ndryshme niveli i taskës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja është 4% e vlerës së investimit. Për legalizimet taksa paguhet jo më vonë se 45 ditë nga data e dhënies së lejes së legalizimit nga ALUIZNI. Nëse personi nuk kryen pagesën brenda këtij afati atëherë për çdo ditë vonesë i llogaritet kamat 0.1% në ditë e shumës që duhet të paguajë deri në 30 ditë pune.
(javanews.al) Me. Ar