Këshilli Bashkiak ka diskutuar sot vendimin e propozuar nga Bashkia e Tiranës për ti kaluar Agjencisë “Tirana Parking” disa prona publike që deri më tani kanë qenë të zaptuara nga private. Pikërisht kjo pikë është bërë temë debati mes kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se nuk do lejojë më që publikja të zaptohet nga privati dhe këshilltarëve të djathtë, të cilët kundërshtuan këtë propozim me argumentin që këto prona më mirë ti lihen privatit sesa të kthehen në parkingje nga Bashkia.
“Sa të jem unë në bashki, zyrtarët e PD nuk do zaptojnë asnjë pronë publike. Bëhuni njerëz që të respektojmë rregullat. Nëse jeni këtu për të mbrojtur parkingjet e Çim Babasit, humbët një herë do humbisni sërish. Më mirë lekët e parkingut ti shkojnë bashkisë që i kthen në investime për qytetin apo më mirë ti shkojnë Çimit të partisë? Po bllokoni Tiranën për Çimin dhe Bashkimin. Po, Tirana do ecë përpara. Largohuni nga shokët e partisë. Keni bërë kryetar të PD zaptuesin e parkingjeve”, tha Veliaj.
Gjithashtu pjesë e debatit u bë dhe çështja e pallateve te Diga e Liqenit, për të cilën kryebashkiaku, Veliaj kërkoi nga këshilltarët e djathtë që të distancohen dhe të shprehen pro interesave të qytetarëve. Pse nuk thoni asnjë fjalë për pallatet 17 katësh te Diga?”, tha Veliaj në fjalën e tij, duke shtuar se kompania “Gener2” ka kapur Kryetarin e PD, Presidentin dhe gjyqtarët e çështjes./a.m.