Partia Socialiste pritet të finalizojë brenda javës procesin e zgjedhjeve për kryetarët e degëve. Kandidatët u janë nënshtruar disa kritereve të vendosura nga kryesia, ndërsa të zgjedhurve nuk do t’u lejohet që të kandidojnë për deputetë apo kryetarë bashkish.
Udhëzimi i PS nxjerr në pah mënyrën sesi do të funksionojë posti i kryetarit. Ai pritet të jetë një i punësuar me kohë të plotë dhe me pagë mujore, ndërsa nuk do t’i lejohet të punojë në administratë.
Në listën paraprake të kandidatëve për 61 bashki dhe njësi të tjera vendore, bien në sy emra të njohur si Megi Ajtyresa dhe Astrit Beci për degën e PS në Shkodër, por edhe emra të rinj.
Në Bashkinë e Vlorës deri tani numërohen plot 4 kandidatë, edhe pse burime për Java News bëjnë të ditur se udhëzimi ka qenë që të jenë jo më shumë sesa dy të tillë. Në Vlorë, për të marrë kreun e PS janë në garë Alma Bakiu, Ilir Metaj, Ines Stasa dhe Laura Ferati. Kjo e fundit mësohet të jetë koordinatore e Zyrës së deputetit Koço Kokëdhima. Emri i Feratit u lakua për herë të parë në vitin 2014, kur deputeti Fatmir Toçi e akuzoi se ka ushtruar presion ndaj zyrave të administratës për të bërë punësime jashtë kritereve.
Po ashtu, njeriu i Kokëdhimës, u denoncua javën që lamë pas edhe nga ish-kryeministri Berisha si ‘sekretarja që detyron të punësuarit të komentojnë pro-Kokëdhimës në Facebook’.
Duket se ish-deputeti socialist Koço Kokëdhima po bën përpjekjet e tij që në krye të degëve ku është ‘komanduar’ si koordinator, të emërojë bashkëpunëtorët e tij. Ndërkohë, kryeministri Rama e ka ‘dubluar’ Kokëdhimën në rajonin Vlorë-Gjirokastër duke deleguar për të vëzhguar procesin edhe Mimi Kodhelin.